Antonio Konte ka marrë një vendim dhe ai është i pakthyeshëm. Sido që të shkojë sezoni i tij i dytë në stolin e “Stamford Bridge”, në fund ai do të largohet nga kampionët e Anglisë. “Tuttomercatoweb” zbulon se në vendimin e parakohshëm për të ndërprerë bashkëpunimin me Çelsin, luajnë një rol edhe nevojat familjare. Ish-trajneri i kombëtares italiane, më në fund, e transferoi familjen e tij në Londër ku ata jetojnë pranë qendrës stërvitore të klubit, “Cobham”. Por zona rezidenciale është një vend shumë i izoluar dhe me pak aktivitet. Ky është edhe motivi që mesa duket e ka shtyrë bashkëshorten e trajnerit të kërkojë largimin nga ishulli.

Për këtë arsye, portali italian e bën fakt se ky do të jetë viti i fundit i ishteknikut të Juventusit në Premier Ligë. Por ata nuk parashikojnë që ai të rikthehet në Serinë A, atje ku e kërkon me ngulm Interi dhe Milani. PSG është duke bërë presing të fortë për të zëvendësuar Unai Emerinë në “Parc des Princes” dhe Konte duket i tunduar nga ideja për të stërvitur një skuadër plot me yje.

JO VETËM FAMILJA – Dashuria mes Kontes dhe Çelsit ka përfunduar pak muaj pasi ai i shpalli ata kampionë. Lajmi i konfirmimit të tij në stolin e skuadrës, me një rritje të konsiderueshme të rrogës 18 korrikun e shkuar, duket sikur ka ndodhur vite më parë. Krisja e tij me klubin nisi gjatë merkatos së fundit, ku ai shprehu qartazi pakënaqësinë e tij me drejtuesit e klubit, të cilët nuk i transferuan lojtarët që ai kishte kërkuar.

Përçarja e tij me klubin u thellua akoma më shumë prej rastit “Diego Kosta”, të cilin ai e skarcoi vetëm me një mesazh. Drejtoresha e klubit dhe njeriu më i afërt i pronarit Roman Abramoviç, Marina Granovskaia, nuk e kapërdiu menaxhimin jashtë çdo etike të rastit “Kosta”. Për më tepër, orientimi i klubit londinez është ai i investimit te të rinjtë. Edhe për bastet, ai është trajneri i radhës, që pritet të shkarkohet pas Ronald Kumanit./p.sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: