Venecia do të shtojë taksën e udhëtimeve ditore vitin e ardhshëm, duke rritur numrin e ditëve në të cilat turistët duhet të paguajnë për të hyrë në qytet dhe duke dyfishuar tarifën në 10 euro për vizitorët e minutës së fundit, thanë zyrtarët e qytetit të enjten.

Kryebashkiaku Luigi Brugnaro theksoi se taksa synon të ndihmojë qytetin dhe qytetarët e tij të luftojnë mbiturizmin dhe të shmangin flukset e mëdha të vizitorëve gjatë festave dhe fundjavave të mbushura me njerëz.

Sistemi i pagesave u lançua në fillim të këtij viti për një program pilot me kohë të kufizuar.

Venecia njoftoi vitin e kaluar se do të prezantonte tarifën e diskutuar prej kohësh për udhëtimin ditor pasi qyteti i shpëtoi për pak vendosjes në listën e OKB-së të vendeve të trashëgimisë të rrezikuara, kryesisht për shkak të ndikimit të mbiturizmit.

Vizitorët që qëndrojnë gjatë natës në qendrën historike janë të përjashtuar nga tarifa.

Si funksionon tarifa e hyrjes në Venecia?

Taksa e re do të zbatohet çdo të premte deri të dielën dhe ditët e festave nga data 18 prill deri më 27 korrik, për një total prej 54 ditësh.

Ky është pothuajse dyfishi i numrit të ditëve që është aplikuar këtë vit. Turistët që nuk bëjnë rezervime deri në katër ditë përpara do të paguajnë 10 € në vend të 5 € të zakonshme.

Taksa do të jetë në fuqi gjatë orëve të pikut, nga ora 8.30 deri në orën 16.00

Përjashtimet u jepen banorëve, vizitorëve me origjinë veneciane, studentëve dhe punëtorëve, si dhe turistët që kanë rezervime hotelesh ose akomodimi të tjera.

Kushdo që gjendet jashtë pikave të përcaktuara të kontrollit pa dokumentacionin e kërkuar do t’i nënshtrohet gjobave.

Këto do të variojnë nga 50 deri në 300 euro, plus tarifën maksimale të hyrjes së lejuar me ligj, e përcaktuar në 10 euro.

Zyrtarët kanë theksuar se programi synon të reduktojë turmat në ditët e pikut, të inkurajojë vizitat më të gjata dhe të përmirësojë cilësinë e jetës për banorët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb