Në një intervistë për emisionin “Opinion” Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi sot se nuk ka kryer asnjë shkelje të Kushtetutës dhe se sipas tij Komisioni i Venecias ka tejkaluar kompetencat dhe misionin me Draft Opinionin paraprak.

PJESË NGA INTERVISTA

Presidenti Meta: Jo, nuk është çështje e shkeljes së Kushtetutës!

Gazetari: Ose edhe duke e tejkaluar, siç thotë Komisioni i Venecias…?

Presidenti Meta: Jo! Jo! E para ka tejkaluar Komisioni i Venecias kompetencat e saj dhe misionin…

Gazetari: Keni shkelur Kushtetutën? Ose siç thotë Komisioni i Venecias, keni tejkaluar kompetencat tuaja si President i Republikës? Ka tejkaluar Komisioni i Venecias kompetencat e saj?

Presidenti Meta: Jo! Jo! Është shumë e sigurt.

Gazetari: Ka tejkaluar Komisioni i Venecias kompetencat e saj? Përse?

Presidenti Meta: E dyta: Do ta sqarojmë nesër në mënyrë zyrtare.

Gazetari: Përse? Është lobuar? Ka pasur presion?

Presidenti Meta: Së dyti, nuk ekziston termi “tejkalim” në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Gazetari: Po ka shkelje apo jo?

Presidenti Meta: Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë ekziston “shkelje” dhe “shkelje e rëndë” dhe Presidenti shkarkohet për shkelje të rëndë dhe krim të rëndë.

Gazetari: Keni frikë se do t’ju shkarkojnë?

Presidenti Meta: Zero! Kështu që në këtë drejtim, në Kushtetutën e Shqipërisë është e qartë se i vetmi institucion që cakton zgjedhjet, është Presidenti i Republikës. Ju flisni sikur të ishim në një situatë normale. Sikur ishim në Irlandë…

Gazetari: Jo, ishim në një situatë, kur u duk, sikur vetëm opozita,….

Presidenti Meta: Jo, më falni! Kushtetuta është një dokumentet jashtëzakonisht i rëndësishëm, me të cilin nuk mund të luajë askush. Dhe ku është shumë e rëndësishme të garantohen parimet themelore të saj.

Parimi themelor i saj, mbi të cilin ndërtohet gjithë Kushtetuta jonë, është pluralizmi politik. Edhe Ramiz Alia, i cili ka qenë në këtë zyrë më 1991, i shtyu zgjedhjet edhe pse e dinte që Partia Demokratike donte karrigen e tij, i shtyu dy muaj…

Gazetari: Më fal që të jemi korrekt. I shtyu Ramiz Alia, zoti President, mbasi opozita e asaj kohe bllokoi gjithë Shqipërinë me grevën e përgjithshme kur as lëviznin trena, as lëviznin autobusë. Ramiz Alia çdo shtyrje e ka bërë nën presion dhe jo me koshiencë të plotë. Në janar të vitit 1991 opozita bllokoi qarkullimin, funksionimin normal të Shqipërisë….

Presidenti Meta: Ju e keni shumë gabim këtë gjë. Ramiz Alia u soll për atë situatë si një burrë shtetit, sepse mund ta kishte vendin drejt një gjakderdhjeje në emër të respektimit të Kushtetutës, në emër të respektimit të ligjit, të respektimit të procedurave.

Situata këtu ka qenë e ngjashme dhe po ua them unë këtë gjë pse ka qenë. Dhe Ramiz Alia është sjellë shumë herë në mënyrë më të përgjegjshme se sa është sjellë Kryeministri ynë. Ti me të drejtë fajëson opozitën dhe unë e fajësoj që iku nga Parlamenti. Dhe unë jam dakord me ty dhe më shumë se ty dhe ia kam thënë, edhe zotit Berisha kur është hedhur kjo ide për herë të para para një viti e ca, edhe Lulzim Bashës, këtyre të LSI-së as që nuk diskutohet që ia kam thënë këtë gjë se kjo është një marrëzi, etj.

Që ky është një budallallëk i madh, nëse do ta bëni për të gjitha ato arsye që keni, sepse nuk keni të bëni me një njeri që do të reflektojë. Përkundrazi, do të shfrytëzojë këtë hapësirë, do të korruptojë ca këtej e ca andej, një opozitë fasadë dhe bota do ta ketë të vështira ta kuptojë, sepse bota ka 500 halle, që nga Koreja e Veriut, që nga Irani e të gjitha me radhë.

Tani unë kam një pyetje për ty: Dakord kjo është një opozitë totalisht e papërgjegjshme, që del në rrugë dhe që njofton më datën 16 shkurt miting kombëtar, më datën 20 mars miting kombëtar etj., dhe mbledh këtu dhjetëra mijëra njerëz. Për hir të së vërtetës, nuk ka opozitë në Ballkan që mbledh kaq shumë pavarësisht përpjekjeve të televizioneve për t’i denigruar, kjo dihet me porositë që janë bërë.

Nuk ka rëndësi, por ata janë njerëz, janë qytetarë, janë taksapagues paguajnë taksa për qeverinë e zotit Rama. Tani unë kam një pyetje për ty, në një situatë të tillë ky Kryeministër, i cili e di se në qershor do të merret një vendim për Shqipërinë për çështjen e negociatave me BE-në. Që Shqipëria nuk ka përmbushur shumë detyrime, që i thonë ata përfaqësuesit e Bundestagut zyrtarisht shikoni mundësinë për zgjedhje gjithëpërfshirëse, sepse kjo është shumë e rëndësishme për rrugën europiane të Shqipërisë. Tani si shpjegohet që ata lënë miting në Tiranë më datën 16 në orën kaq, ky lë miting në Berat në të njëjtën kohë se nuk do t’ua lërë as televizionet.

Gazetari: Nuk po them se kjo është gjë pozitive, por çështja është te roli juaj si President i Republikës….

Presidenti Meta: Rolin tim e kam bërë unë dhe do ta sqaroj prapë, por duhet të sqarojmë rolin destruktiv me ndërgjegje provokativ të Kryeministrit, jo për ta normalizuar situatën demokratike në vend, por për ta agravuar dhe për ta nxjerrë atë jashtë kontrollit me pasoja mjaft shqetësuese.

Mirë për këta dhjetëra mijëra qytetarët këtu që dilnin domethënë ai nuk ka asnjë lloj respekti, po për ata policët aty që vendoseshin para Kryeministrisë, që vendoseshin para Parlamentit, nuk i vinte keq? Kur me një fjalor provokonte protestuesit. Presidenti, sepse ju duhet të shikoni të gjitha qëndrimet e mia, që nga lënia e mandatave të opozitës edhe deri te nxjerrja e dekretit.

Gazetari: Por ndërkohë nëse ju shohim në vazhdimësi keni pasur vazhdimisht konflikte me Ramën, asnjë konflikt në nivele të tjera. Nuk i dekretuat një ministër, nuk i dekretuat një ministër të dytë, në fillim zotin Lleshaj e pastaj zotin Cakaj…

Presidenti Meta: Nuk mund të dekretojë Presidenti i Republikës një kandidat për ministër që ka papajtueshmëri me Kushtetutën. Nuk mund të jesh edhe gjeneral dhe ministër. Nuk jemi këtu në vendet më të pazhvilluara afrikane dhe qëndrimi i Presidentit tregoi qartë se ata si qeveri nuk ishin treguar korrekt me mua. Kur ata sollën propozimin për të liruar zotin Lleshaj nga gjeneral, atëherë unë bëra veprimin tjetër. Nuk mund të bëja unë një shkelje kushtetuese. Sepse kjo gjë ishte bërë publike nga ish-Presidenti Nishani, që e dinte këtë situatë dhe nga të tjera. Atëherë këtu nuk është problemi i Presidentit, këtu është problemi i qeverisë e cila provokon Presidentin për të shkelur Kushtetutën

Gazetari: A keni bërë ndonjë tentativë personale jashtë pjesës institucionale me aktorët kryesorë politikë? Që do të thotë, a jeni takuar me kryeministrin Rama? Keni folur për një darkë vetëm për vetëm dhe a keni biseduar kështu siç po thoni tani? Dhe çfarë përgjigjeje keni marrë se me siguri edhe ai ka argumentet e tij?

Presidenti Meta: Qëndrimet e mia janë sistematike.

Gazetari: Përtej atyre zyrtare, iu pyeta për anën tjetër….

Presidenti Meta: Por do flas në fillim për anën zyrtare, sepse në radhë të parë ne do të gjykojmë qëndrimet publike zyrtare, sepse ato janë edhe të verifikueshme edhe në raport të transparencës me opinionin.

Janë bërë të gjitha veprimet, jo vetëm nga ana ime me secilin prej tyre, qoftë me zotin Rama si Kryeministër, qoftë me zotin Basha si kryetar i opozitës, por edhe me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim që të gjenim një zgjidhje për këtë gjë. Që zgjedhjet vendore të bëheshin në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe demokratike.

Sepse një gjë duhet ta dish, ta dini ju dhe të gjithë. Në rast se nuk do të kishte dalë ai dekret për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, jo vetëm që në Shqipëri do të kishte një përplasje të paevitueshme…

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb