Autoritetet maqedonase janë duke i shqyrtuar informatat e Zyrës së Prokurorit të Venezuelës se një sulm i dyshuar hakerësh pas natës së zgjedhjeve u krye nga Maqedonia e Veriut.

Prokurori i Përgjithshëm i Venezuelës, Tarek Saab, pretendoi se publikimi i rezultatit të zgjedhjeve u shty për shkak të një sulmi hakerësh në sistemin zgjedhor të Venezuelës nga Maqedonia e Veriut.

Ai tha se sulmi kibernetik ndaj sistemit të automatizuar të votimit të vendit arriti ta ngadalësojë procesin e numërimit të votave pas përfundimit të procesit zgjedhor. Megjithatë, Saab nuk dha më shumë hollësi, e as prova se si u vërtetua se sulmi erdhi nga Maqedonia e Veriut.

Ministri i Transformimit Digjital i Maqedonisë së Veriut, Stefan Andonovski, tha për Radion Evropa e Lirë se “kemi të bëjmë me një regjim socialist, i cili ka publikuar informata pa u mbështetur në prova për shumë vite dhe i ka fajësuar shtetet të cilat nuk kanë asnjë përgjegjësi në raste të tilla”.

Ai tha se shpreson se Qeveria e Venezuelës do të ketë dëshmi të duhura.

Beteja presidenciale në Venezuela u zhvillua mes Nicolas Maduros , i cili është në pushtet që 11 vjet, dhe kandidatit të opozitës Edmundo Gonzalez Urrutia.

Që të dy deklaruan publikisht fitoren në zgjedhjet e tensionuara gjatë fundjavës, të cilat u pasuan nga protesta të dhunshme dhe arrestime.

Derisa dyshimet për rezultatin zyrtar u shprehën nga Shtetet e Bashkuara dhe një sërë vendesh të Amerikës Latine, Maduro u urua, ndër të tjera, nga Kina, Rusia dhe Kuba.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb