Diplomati i karrierës Agim Nesho, në një lidhje live në News 24 ka komentuar sulmet me raketa të Iranit mbi Izrael.
Nesho tha se e gjitha kjo është një veprim force nga ana e Teheranit. Sipas tij, Teherani ishte i detyruar ta bëjë këtë sulm, për të mos e ulur prestigjin. Diplomati Nesho theksoi se e vetmja surprizë këtë herë ishte se Irani nuk lajmëroi kur sulmoi Izraelin me raketa.
Agim Nesho: Irani u kundërpërgjigj me sulm me raketa. Kujtojmë se Izraeli goditi jugun e Libanit dhe tregoi se infrastruktura e krijuar nga Irani është e dobët dhe kjo gjë ia ka ulur reputacionin Teheranit. Irani ishte i detyruar të godiste Izraelin, kishte bërë premtim se do të merrte hak. Ky është një veprim force, nuk mendoj se përshkallëzon luftën. Irani edhe në prill hodhi mbi 300 raketa. E vetmja surprizë ishte se Teherani nuk lajmëroi askënd këtë herë. Ky sulm duhet të ketë sa më pak viktima në Izrael.
SHBA me kohë kanë kërkuar një qetësim të situatës, një armëpushim. Fuqia e Hezbollahut ishte propaganduar shumë, por u dëshmua se nuk kishte aq fuqi. Izraeli kërkon të eliminojë organizatat terroriste, që mbështeten nga Irani, të tilla si Hamasi, Huthi apo Hezbollahu. Izraeli e ka detyrë të mbrojë territorin e saj. Shteti izraelit besoj se ka përqendruar forcat në eliminimin e organizata terroriste, që e kërcënojnë.
(Balkanweb)