MAQEDONI E VERIUT

Shkrimtari shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Kim Mehmeti, ka kritikuar ashpër veprimin e ambasadorit të OSBE në Tiranë, Bernd Borchard, i cili një ditë më parë ofendoi protestuesit e “Astirit” dhe iu nxori gishtin e mesit tek ambientet e Drejtorisë së Policisë. Me një gjuhë të ashpër, shkrimtari i mirënjohur thotë se  “gishtin e mesëm na e ngrenë edhe ata të cilëve u duhet ‘futur’ gishti!”. Sipas tij, veprimi i diplomatit ishte  ofendim për të gjithë shqiptarët.


Reagimi i Mehmetit:

“Ambasadori i OSBE-së Bernd Borchard, gjatë protestës së banorëve të Astirit, ua nxorri gishtin e mesit banorëve, të cilët po mbështesnin të afërmit e tyre të shoqëruar nga policia. Në të vërtetë gishtin e mesëm ai na e ngriti gjithë neve shqiptarëve, neve që assesi ta kuptojmë se shumë nga diplomatët e huaj që me aq zell na shesin demokraci, janë specialistë të rrugaçërisë. Dhe shtetet perëndimore i dërgojnë nëpër ‘Shqipëritë’ tona sepse i kanë tepricë teknologjike, që nuk u hyjnë në punë për asgjë. E ne, të tillë siç jemi, e siç na ka dhënë Zoti – përbuzës të vetvetes dhe lëpirës të të huajve – i përkulemi çdo të ardhuri nga bota e ‘civilizuar’ perëndimorë, duke e pëlqyer edhe gishtin e tyre të ngritur të mesit! Dhe ky ambasador bëri publikisht atë që shumë koleg të tij e bëjnë përderisa ‘ndërmjetësojnë’ në zgjidhjen e grindjeve politike brendashqiptare, duke i nxitur ato, sepse ai e dinë se Tirana nuk ka burrështetas që pas këtij gjesti atij ia shtron vetëm një kërkesë – që brenda 24 orëve ta braktisë Shqipëria! Po pra, ky ambasador beson se çdo gjë do e shpërlajë me një kërkim faljesh, sepse ai e dine se këtë rrugaçëri të tij do e mbulojnë debatuesit tanë mendjehapur dhe mediat proqeveritare, që e kultivojnë mendësinë politike se ai që poshtëron shqiptarin e partisë kundërshtare, me asgjë nuk na ka ofenduar edhe neve! Mendësi që edhe na solli këtu ku jemi sot: që gishtin e mesëm të na e ngrenë edhe ata të cilëve u duhet ‘futur’ gishti!” (Kim Mehmeti)


(n.m/BalkanWeb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: