Jemi zyrtarisht në vjeshtë dhe “gara” e artistëve për hitet verore ka përfunduar. Kanë qenë të shumtë artistët shqiptarë që kanë pushtuar diskotekat në bregdetin shqiptar dhe club-et anekënd vendit, megjithatë vetëm disa prej tyre kanë arritur të kryesojnë vëmendjen dhe preferencat e audiencës. Por cilët janë artistët dhe këngët që kanë vendosur rekorde? Nëpërmjet klikimeve në “Youtube”, kemi arritur të diferencojmë këngët që realisht kanë merituar titullin hit…

Enca dhe Noizy e kanë quajtur veten “King and the Queen” (Mbreti dhe Mbretëresha) në bashkëpunimin e tyre të fundit “Bow Down”. Dhe siç duket, këngëtarët kanë arritur t’i meritojnë vërtet këta tituj, duke qenë se sipas klikimeve në “Youtube”, ky single i lançuar në mes të muajit qershor numëron tashmë plot 31 milionë klikime. Ndërkohë, Noizy është cilësuar gjithashtu edhe si këngëtari më i paguar i verës që lamë pas.

Një tjetër bashkëpunim po kaq i suksesshëm ka qenë edhe ai mes dy anëtarëve të Babastars, Getoar Selimi dhe Majk. Pas suksesit të këngës “S’jena mo” në verën e 2015-ës, reperët u rikthyen me këngën “Ajo”, e publikuar më 16 qershor dhe që deri tani ka plot 22 milionë klikime. Edhe “hitman”-i Capital T arriti ta mbante sërish këtë epitet falë bashkëpunimit me këngëtaren Dhurata Dora. Dyshja lançoi gjatë kësaj vere këngën “Bongo”, një ndërthurje e muzikës Hip-Hop dhe RnB, që rezultoi me mjaft sukses.

Videoklipi i dy këngëtarëve nga Prishtina është klikuar më shumë se 13 milionë herë në kanalin më të madh të muzikës online, “Youtube”. Në hyrjet e vona të verës ishte një bashkëpunim vërtet surprizë për publikun, ajo mes Flori Mumajesit dhe Ledri Vulës. Kënga e tyre “Beautiful”, në klipin e së cilës u shfaq edhe vajza e aktores Ema Andrea, Sara Kapo, arriti më shumë se 10 milionë klikime dhe ka ende rrugë për të bërë, pasi vazhdon të mbetet një nga këngët më të dëgjuara.

Djemtë patën sukses edhe me single-in e tyre tjetër në duet, “Nuk ma la”, me mbi 7 milionë klikime. Pikërisht në kohën kur të gjithë po diskutonin mbi “rrëzimin” e Dafina Zeqirit nga top-listat, këngëtarja është rikthyer me një bashkëpunim që i tejkaloi pritshmëritë e të gjithëve. Kënga e saj “Na”, e cila riktheu edhe dyshen e famshme nga Kosova, grupin “Kaos”, ka arritur gati 9 milionë klikime në “Youtube”, duke e rikthyer edhe Dafinën në qendër të vëmendjes.

Mozzik ia doli mjaft mirë i vetëm me këngën “Cokaina”, që i dha reperit mbi 10 milionë klikime në më pak se një muaj. Edhe pse i ri në tregun e muzikës, reperi ka arritur të fitojë vëmendjen e të gjithëve, fillimisht me bashkëpunimet me këngëtaret femra, e tashmë me këtë projekt mjaft të suksesshëm. Edhe Samanta Karavella solli një bashkëpunim shumë të klikuar me Gent Fatalin. Po flasim për këngën që me siguri e keni dëgjuar të gjithë, “Na e dina”. Ky projekt mbetet një ndër më të klikuarit e verës që lamë pas, me më shumë se 9 milionë klikime në “Youtube”. Vera e 2016-ës ka qenë e suksesshme edhe sa u takon koncerteve për Samantën, e cila ka qenë ndër më të preferuarat.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: