Largimi i Mario Beshirajt ka lënë një boshllëk jo të vogël në sulmin e Kukësit. Jo vetëm si kapiten, por ai ishte në njëfarë mënyre lojtari që siguronte golat, pasi deri në këtë periudhë shënoi gjashtë herë për verilindorët.

Tani për klubin ka lindur një detyrë e vështirë për t’i vërë në dispozicion trajnerit Alfred Allamani një lojtar me të njëjtat karakteristika si të Beshirajt që u transferua te Teuta. Me ikjen e ish-kapitenit, Abubakar Nasir është ai që e ka gjetur më shumë rrugën e rrjetës, në dy raste. Bëhet fjalë për një 19-vjeçar dhe nuk dihet se sa i gatshëm do të jetë të mbajë mbi supe një detyrë të vështirë deri në mbyllje të edicionit. Drejtuesit synojnë gjashtëshen e parë dhe që të arrihet ky synim duhen patjetër përforcime në organikë, duke parë se janë disa pikë larg zonën “play off”.

Gazeta mëson se po kërkohet me ngulm një sulmues që të mbajë këtë repart dhe t’i garantojë gola, por mbetet për t’u parë nëse do të arrijnë. Sakaq, Kukësi nesër starton pjesën e dytë të kampionatit dhe përballë do të kenë një ndër skuadrat që është përforcuar ndjeshëm këtë merkato, Pogradeci. Fitorja i mban në garë për vendin e gjashtë që mbahet nga liqenorët, ndërsa humbja do të bënte që shpresat të veniteshin që në sfidën e parë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb