Zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj dhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kanë thënë se kryeparlamentari, Kadri Veseli, i ka nisur një letër zyrtare parlamenteve të vendeve evropiane që të njohin krimet e kryera mbi popullatën në Kosovë, nga Serbia.

Hoxhaj në një konferencë për media ka thënë se qëllimet e Kosovës janë evropiane, pasi dhe Kosova është vend evropian. “Mohimi i krimeve është krim i dyfishtë dhe është një ofendim ndaj shtetit dhe shoqërisë së Kosovës. Në draftimin e këtij ligji do të marrim për bazë përvojat evropiane. Qëllimi i iniciativës është evropiane, pasi Kosova është vend Evropian, por kur i dëgjojmë çdo ditë deklaratat e politikanëve serb në Beograd dhe të disa kolegëve në Kosovës e pyesim vetën se në cilin vit jemi”, është shprehur Hoxhaj.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, thotë se një iniciativë ligjore është e domosdoshme.
“Ministria e Drejtësisë do të jetë kompetente për të hartuar një bazë të tillë ligjore. Si institucion jemi të përkushtuar që të kemi një shoqëri multietnike. Viti 2019 shënon përvjetorët e masakrave dhe ne nuk kemi parë që u dënua dikush për ato masakra. Në këtë 20-vjetor të masakrave e shohim një tendencë të presidentit serb, ku në këtë 20 vjetor mohojnë krimet që janë bërë në Kosovë. Vazhdojmë të kërkojmë 1600 të pagjetur, ku në mesin e tyre ka dhe nga komuniteti jo shumicë. Në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë që të mohohen krimet e serbëve që janë bërë në Kosovë. Qasja e tyre është e njëjtë ashtu siç e kanë pasur në vitin 1999 pasi dhe njerëzit janë të njëjtë”, theksoi Tahiri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb