PRISHTINË

Kreu i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli përmes një statusi në “Facebook” shprehet se paralajmërimi për dorëheqje e kryetarëve të komunave veriore serbe është një akt i pahijshëm.

Sot në Beograd, krerët serbë të komunave në veri të Kosovës thanë se edhe mund të tërhiqen nga postet, menjëherë sapo ata janë zgjedhur si kryekomunarë.

Statusi i Veselit:

Paralajmërimi i dorëheqjes nga kryetarët e sapozgjedhur të komunave të veriut të Kosovës, është një akt i pahijshëm dhe i dëmshëm që cënon bashkëjetesën dhe stabilitetin e Kosovës. Kjo deklaratë e dhënë prej tyre pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, dëshmon edhe njëherë qartazi mungesën e vullnetit të Beogradit për të ndërtuar paqe dhe fqinjësi të mirë.

Me këtë rast, i bëj thirrje përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, që të bëjnë detyrën e marrë përsipër si garantues për të bërë presion në mënyrë që Serbia të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel. Pavarësisht këtyre provokimeve, dua të theksoj se Republika e Kosovës është një shtet model në mbarë Evropën për sa i përket garantimit të të drejtave komuniteteve jo-shumicë dhe do të vazhdojë me këmbëngulje që me procesin e dialogut final të zgjidhë problemet e së kaluarës me Serbinë duke siguruar njohjen dhe ulësen në OKB.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb