Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli thotë se Bashkimi Evropian duhet t’u japë qytetarëve të Kosovës të drejtën për lëvizje të lirë. Veseli thotë se Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha kushtet, por konsideron se zgjedhjet në Parlamentin Evropian, janë pengesa për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Kryeparlamentari kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për proceset të cilat duhet të kalohen deri tek liberalizimi i vizave për zonën Schengen.

“Ne presim që Bashkimi Evropian definitivisht t’iu japë mundësinë qytetarëve të Republikës së Kosovës, si gjithë qytetarëve të tjerë atë drejtë e cila iu takon. Fakti është se Kosova, tanimë për fat të mirë edhe BE-ja e pranon, se teknikisht ka përmbushur të gjitha kriteret”.

Kreu i Kuvendit se kosovarët janë qytetarë evropianë dhe se kriteret për të lëvizur lirshëm në vendet e Bashkimi Evropian i kanë plotësuar më shumë se të gjitha vendet e tjera. Ai është i bindur që BE-ja do të ketë vendim pro lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës.

“BE është duke kaluar në disa faza të cilat nuk janë normale gjatë gjithë ekzistencës të cilën e ka pasur. Si do që të jetë, ata duhet ta bëjnë këtë, është edhe në interes të tyre edhe në interesin e kredibilitetit dhe të ardhmes së BE-së për ato vlera që i promovojnë… e jemi qytetarë evropianë, ne kemi përmbushur të gjitha kriteret më shumë se çdo vend tjetër po presim që BE në momentin më të volitshëm ta marrë këtë vendim. Sigurt do ta marrë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: