Pas arrestimit të Marko Gjuriçt në veri të Mitrovicës, ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka thënë se shteti i Kosovës zbatoi sot ligjet e veta dhe ushtroi sovranitet të plotë.

Veseli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Republika e Kosovës nuk lejon asnjë provokim dhe Serbia duhet të kuptojë se ky vend ka zot shtëpie”.

“Shteti i Kosovës ka zbatuar sot ligjet e veta dhe ka ushtruar sovranitetin e plotë. Republika e Kosovës nuk lejon asnjë provokim dhe Serbia duhet të kuptojë se ky vend ka zot shtëpie. Ne nuk jemi duke shkuar në Serbi të provokojmë, presim që ata të jenë më të vëmendshëm në respektimin e sovranitetit të kufijve tanë territorialë. Për aq sa ata janë korrekt ne do të jemi korrekt. Nuk na është dashtë dita e sotme, por zyrtarët serbë duhet ta kuptojnë se në Kosovë mund të futen vetëm me lejen e autoriteteve shtetërore kosovare. Kosova është e përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë por vullneti duhet të jetë i dyanshëm. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie që të jenë të qetë dhe të mos nxiten nga asnjë lloj provokimi”, ka shkruar Veseli.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: