Kryetari i Kuvendit të Kosovës njëherësh edhe kryetar i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se taksa tashmë nuk mund të largohet edhe nëse na premtohen vizat. Veseli në RTV Dukagjini, ka thënë se taksa ka qenë një ndër vendimet me dinjitoze që është marrë por më pas është stërkonsumuar dhe e kemi kthyer kundër vetes.

“Në vend se të jetë objekt me Serbinë, taksën e bëmë objekt përplasjeje me Amerikën e Bashkimin Evropian…Unë kam qenë iniciuesi dhe propozuesi i taksës, marr përgjegjësinë deri në fund, por politika është pragmatizëm”, tha Kryetari i Kuvendit.

“Populizmi mund të fluturojë, por nuk jemi duke fituar diçka shumë nga taksa…Nuk jam pishman, por do të ishte shumë më tepër strategjike ajo që kam thënë unë [pezullimi i taksës për 120 ditë]”.

Kryetar i PDK-së ka thënë se nuk do të lejojë heqjen e taksës dhe “Kosova të dalë pa dinjitet”.
“Dikush mendon të heqim se po na bëjnë presion, por nuk do të veprojmë si fëmijë. Përgjegjësia është e Kryeministrit se e ka mbajtur taksën dhe tash duhet ta mbajë me dinjitet pavarësisht presioneve apo kushtëzimeve”, tha ai, përcjell Telegrafi.

“Goditjet e mëdha i kam marrë unë. Nga Washingtoni kur kam qenë në vizitën zyrtare deri në Bashkimin Evropian nuk jam lëkundur. Kemi menduar të shkojmë bashkërisht [me Haradinajn]”.

Veseli ka thënë se propozimi i tij për të pezulluar taksën për 120 ditë kishte marrë mbështetje të fortë edhe nga Washingtoni, por u la i vetëm.
“Kam qenë ekstra i lumtur kur kam marrë dakordimin amerikan për propozimin tim. Në momentin e fundit nuk e di çka ndodhi, ndryshoi, mbeta i vetëm…u liga. Unë publik e kam bërë propozimin. Mos mendoni se nuk e kam ditur çfarë po bëj. Nuk jam populist. Unë nuk jam veç çfarë mendon populli. Mendoj për atë çka ndodh pas gjashtë muajve apo viteve”.

“…Një gjë po e them. Nuk do të lejoj të hiqet taksa pa dinjitet, edhe nëse ma kërkon dikush. Le të përgatitet populli e të mos më gjuajnë me vezë, pasi do të dëmtohet shteti nëse hiqet taksa pa dinjitet”, tha ndër të tjera Kadri Veseli.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb