Dialogu Kosovë-Serbi aktualisht është bllokuar, pas situatës së krijuar me vendosjen e taksës dhe refuzimit të Kryeministrit Ramush Haradinaj për ta dëgjuar kërkesën e SHBA-ve për  ‘ngrirjen’ e saj.


Por, cili do të jetë qëndrimi i liderit të koalicionit qeverisës, Kadri Veseli, për zgjidhjen e kësaj situate?


“Qëndrimi im do të jetë ai që po e them publikisht – cili do të jetë qëndrimi i SHBA-së dhe i partnerëve perëndimorë, do të jetë edhe i imi. Dy ditë nuk rri në një Qeveri, e cila i dëmton këto raporte. Ky raport nuk ka të bëjë vetëm me disa shtete. Ka të bëjë në raport me të ardhmen e këtij shteti, e këtij kombi. Nuk mund ta imagjinoj zhvillimin e Kosovës, perspektiven e Kosovës, Ushtrinë e Kosovës, ta quaj të zhvilluar pa raportin me SHBA-në dhe BE-në”, ka deklaruar Veseli për Pista News.


Lideri i PDK-së, po ashtu, ka thënë se do të veprojë në momentin që sheh se mund të dëmtohen raportet me SHBA-të, shkruan RTK.

“Kur është interesi i Kosovës, kam me marrë vendim. Pastaj, le të ankohen ata të tjerët cila është vendimmarrja ime. Si dje që kam marrë vendime, edhe sot marr vendim. Edhe pardje, edhe nesër. Vendimi do të jetë çka është interesi i popullit tonë, qytetarëve të vendit tonë, shtetit tonë”, tha Veseli.

Veseli në vazhdim ka treguar se kur mund të priten zhvillime të reja.

“Nuk ia bëj qejfin Serbisë asnjëherë. Por, qëndrimi i Kosovës, në momentin kur e shoh se mund të dëmtohet me partneret si SHBA-ja dhe partnerët perëndimorë, do të veproj”, ka deklaruar Veseli.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: