KOSOVË

Kryetari u Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar se taksa 100 %, e vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, nuk do të hiqet, por ajo mund të pezullohet përkohësisht dhe me kushte.

Sipas tij, kjo mund të bëhet me mirëbesim ndaj SHBA-së dhe BE-së për disa arsye.

“Taksa doganore nuk duhet të hiqet, por ajo duhet të pezullohet për 120 ditë dhe gjatë kësaj periudhe duhet të vihen në fuqi disa kushte konkrete për pezullimin e saj. Dhe, nëse pas 120 ditësh nuk kemi një situatë të re, ku sjelljet e Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës ndryshojnë rrënjësisht, atëherë e njëjta taksë vazhdon, por edhe vendimet e tjera që me automatizëm dërgojnë në reciprocitet të plotë me këto dy vende”, ka thënë Veseli.

Kryeparlamentari Veseli ka thënë se interesat amerikane në Kosovë janë edhe interesa të Kosovës dhe po ashtu interesat e Kosovës janë edhe interesa të SHBA-së.

“Kosovës nuk i duhet kursi i konfrontimit me SHBA-në e as me BE-në. Përkundrazi! Gjuha e kushtëzimeve ndaj partnereve tonë kryesorë strategjikë, si SHBA dhe BE, nuk do ta ndihmojë Kosovën as në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial, e as në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike”, ka shkruar Veseli.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb