Në muajin gusht te Partizani në mënyrë të befasishme vendosën të ndryshojnë trajner dhe pas studimit të tregut, ku u morën në konsideratë disa trajnerë të huaj, u vendos që një serb si Aleksandar Veselinoviç të merrte komandën e ekipit.

Vendlindja e tij krijoi polemika të mëdha dhe ngjalli një lumë komentesh negative edhe nga njerëz që nuk kishin lidhje me klubin. Por pavarësisht kësaj, 54-vjeçari i injoroi të gjithë dhe që në ditën e parë nuk hezitoi të përshëndeste në shqip.

Në fakt ai ka lindur në territorin serb, por ka zbuluar se babanë e ka me origjinë kroate dhe se është nga Vojvodina, një territor kufitar pikërisht me Kroacinë. Pavarësisht çka u tha, sot pas 11 ndeshjesh zyrtare në krye të skuadrës, Veselinoviç ka vërtetuar se ka ardhur për punë këtu në Shqipëri dhe këtë po e tregojnë edhe rezultatet. Ai nuk ka humbur asnjëherë, teksa ka barazuar 6 sfida dhe ka fituar 5 të tjera.

TIPI DHE AXHENDA – I pozicionuar në një bllok apartamentesh pranë zonës së spitaleve, vetëm pak kilometra larg kompleksit të kuq, Veselinoviç e ka përqendruar gjithë përditshmërinë e tij te Partizani. Në mëngjes një punonjës i klubit e sjell atë në klub rreth orës 9:00 dhe pasi konsumon mëngjesin, nis punën së bashku me dy ndihmësit e tij, Dragan Aniçiç dhe Goran Lazareviç.

Më pas ai zakonisht drejton stërvitjen e paradites dhe nuk largohet menjëherë, por qëndron në klub, ku pasi konsumon drekën dhe pushon pak në dhomën e tij në hotel, qëndron edhe disa orë bashkë me ndihmësit për të punuar në çdo aspekt që duhet ta bëjë një trajner. Largohet kryesisht rreth orës 17:00, por ndodh edhe më vona apo herët.

Sa i përket personalitetit, Veselinoviç mund të konsiderohet si një nga të huajt më komunikues me lojtarët dhe stafin, por kur vjen puna te stërvitja, parapëlqen të mos i kursejë futbollistët dhe t’i “shtrydhë”. Aktualisht po flasim për trajnerin e vetëm të pamposhtur të Superiores, duke përjashtuar Gugash Maganin, që sapo e ka nisur aventurën e tij te Tirana. Ndoshta duhet të përmirësojë pak deklaratat e tij për mediat, përsëritet shumë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb