Trajneri i Partizanit, Veselinoviç, ka folur në prag të ndeshjes që “demat” do të luajnë me Skënderbeun. Kujtojmë se ky takim vlen për javën e 11-të të Superiores dhe merr jetë nesër në orën 17:00 te stadiumi i Korçës.

Veselinoviç e nisi konferencën duke thënë se në çdo ndeshje shkojnë për tri pikët.

Detyrim fitorja? “Ne jemi skuadër që në çdo ndeshje shkojmë për të marrë tri pikët”.

Plani- “Kemi plan për nesër, sot kemi dhe një seancë stërvitore para ndeshjes së nesërme. Disa lojtarë kanë probleme me kartonat. Sot do të shikojmë gjendjen e lojtarëve, që kanë pasur probleme fizike. Ata që do të nisin nesër mendoj do të kenë kondicionin e duhur fizik”.

Skënderbeu- “Kam respekt si çdo klub tjetër. Janë skuadër me traditë, dy ndeshjet e fundit me Bylisin dhe Elbasanin kanë zhvilluar ndeshje mjaft të mira. Në sfidën me Skënderbeun kanë luajtur për shumë minuta me 10 lojtarë si pasojë e daljes me karton të kuq të kapitenit Prençi. Dhe pse në inferioritet numerik luftuan për të marrë tri pikët me Elbasanin. Janë ekip me mjaft kualitet, por ne duhet të mendojmë për veten tonë në radhë të parë. Gvozdenoviç ka një periudhë të gjatë me këtë skuadër. Dhe sigurisht mendoj është truri i kësaj skuadre. Skuadra ndjek idetë e tij dhe çfarë kërkojnë të zbatojnë. Sigurisht që kur shofin kundërshtarët që kanë përballë, duhet të përshtaten. E thashë, kam respekt por duhet të respektojmë veten tonë. Jam i sigurt që na pret atmosferë dhe terren mjaft i mirë”.

Çfarë pret nesër? “Në futbollin modern nëse nuk je agresiv dhe i motivuar nuk arrin asgjë. Është normale që do të hyjmë në fushë me objektivin e vetëm për të marrë fitoren. Në futboll janë të pranueshme të tre rezultatet, vetëm në fund do të shohim çfarë do të marrim. Në kampionatin shqiptar çdo ndeshje është interesante përsa i përket rezultatit. Shënuam në Shkodër në minutën e 92-të, Laçi në minutën e 98-të. Janë gjëra që ndodhin. E kam thënë që në kampionatin shqiptar çdo pikë është flori dhe kjo është gjë shumë e mirë për futbollin shqiptar.

Pika e fortë- “Secila skuadër ka idetë e veta, përshtatjet e veta si zbret në fushë. Partizani ka idetë dhe skemat e tij, është nga skuadrat me elementet më të rinj në skuadër. Përsa i përket vendit të parë, është shpejt për të menduar për këtë. Duhet ta mendonim në verë po tani është tetor dhe ka akoma shumë muaj dhe ndeshje për të luajtur. Siç e thashë, çdo pikë është flori, të gjitha skuadrat mund të marrin fitore. Mund të bësh gjithçka mirë deri në prill, lojtarët më të rëndësishëm të dëmtohen dhe mund të humbasësh gjithë sezonin. Është rrezik i madh për të gjitha skuadrat”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb