Trajneri i Partizanit, Aleksandar Veselinoviç, foli për “Panorama Sport” pas ndeshjes ndaj Dinamos, e përfunduar me shifrat 2-2.

Ai analizoi ndeshjen e skuadrës së tij, ku theksoi një pjesë të parë të mirë dhe probleme në fraksionin e dytë. Veselinoviç shprehet se pati edhe rënie fizike tek individë të caktuar, teksa foli edhe për dy autorët e golave, Bintsuka dhe Rrapaj, të cilët për trajnerin janë lojtarë me aftësi shumë të mira. 54-vjeçari foli edhe për sfidën e radhës me Laçin, ku identifikoi si problem ndryshimin e fushës, nga artificiale në natyrale.

Ishte barazimi rezultati më i drejtë në këtë derbi?

Mendoj se 10 minutat e para i kemi nisur me shumë nervozitet. Kemi humbur disa topa në hapësira që nuk duhej t’i humbnim. Me këto gabime i kemi dhënë pak vetëbesim Dinamos. Jam shumë i kënaqur me pjesën tjetër të lojës sesi ekipi arriti të kthejë ekuilibrin. Në pjesën më të madhe të së parën jam i kënaqur me mënyrën sesi kemi reaguar dhe mendoj se kemi qenë më dominantë deri në fund të 45 minutave të para.

Dhe në pjesën e dytë u duk sikur skuadra ra gradualisht…

Në pjesën e dytë kemi shfaqur shumë probleme, sidomos në aspektin fizik, sepse lojtarë të caktuar nuk kanë mundur t’i përgjigjen intensitetit të lojës. Mbase është e arsyetuar duke marrë parasysh gjithë ndodhitë dhe situatat e këtyre 10 ditëve. Në fund të ndeshjes shënuam me Rrapajn. Fatkeqësisht nuk e mbrojtëm dot rezultatin dhe ndoshta kjo tregon se na mungon pak përvojë në situata të caktuara.

Në fund, ishte i drejtë barazimi mes dy ekipeve?

Pavarësisht se kemi dashur të fitojmë, rezultati është i drejtë, sepse kemi pasur një kundërshtar të shkëlqyer përballë. Dua t’i falënderoj lojtarët për mundin dhe angazhimin e dhënë, si dhe tifozët për përkrahjen gjatë ndeshjes.

Rrapaj duket njeriu i momentit te Partizani, ndërsa Bintsuka në mundësinë e parë përgjigjet me gol. Sa e rëndësishme është kjo dyshe?

Normalisht, unë nuk i njoh këta lojtarë më herët, por që nga ardhja ime kam parë që këta lojtarë janë shumë cilësorë. Normalisht ndihem shumë i lumtur, sepse shënuan të dy. Nëse flasim për statistika Rrapaj vjet në gjashtë muajt e dytë ka shënuar vetëm një gol, ndërsa tani në tri ndeshje radhazi ka realizuar. Bintsuka shfrytëzoi rastin e tij duke marrë parasysh se Mba kishte një problem familjar. Jam i lumtur për të dy ata.

Pas dy javësh nën drejtimin e Partizanit, i keni injektuar idetë kryesore tuajat?

Jo, nuk mund ta them këtë. Nuk jam person që kërkoj alibi, por mjafton vetëm fakti që kemi pasur shumë lojtarë të grumbulluar me kombëtaret. Zeka, Hadroj dhe Ismaili janë stërvitur vetëm një ditë. Pavarësisht kësaj, gjithashtu për çdo gjë nevojitet një proces për të mbërritur te rezultati. Ne duhet të mbajmë shënime dhe të bëjmë llogari për gjithë këtë dhe të rikuperojmë djemtë.

Si e prisni ndeshjen e radhës me Laçin?

Normalisht tashmë duhet të përshtatemi edhe me çështjen e fushës, sepse ne luajmë në bar artificial dhe në Laç do të luajmë në fushë natyrale. Nuk kemi shumë kohë, sepse ndeshjet janë të ngjeshura, por duhet të dalim me sa më pak gabime. Ajo që më kënaq është motivimi i lojtarëve për të punuar. Unë në karrierë më është dashur të krijoj edhe përvojë sa i përket gabimeve dhe duhet të kuptojmë që këta lojtarë janë të rinj dhe mund të gabojnë. Gjithsesi, meritojnë lëvdatat më të mira në ndeshje dhe stërvitje. Për çfarëdo problemi rreth tyre mund të adresoheni tek unë, sepse jam këtu për t’i mbrojtur lojtarët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb