TIRANE

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vetëdorëzimit të Klement Balilit, i cili ishte në kërkim për gati 2 vite e gjysmë nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. Përmes një postimi në ‘Twitter’ ai tha se ky ishte një hap i madh kundër krimit të organizuar. Po ashtu kreu i qeverisë uroi për këtë rezultat ministrin e Brendshëm Sandër Lleshajn, Policinë e Shtetit dhe SHISH.

“Klement Balili prapa hekurave një hap i madh përpara në luftën kundër krimit të organizuar dhe një përgjigje kuptimplotë, për të gjithë qentë që lehin, ndërkohë që karvani do të ecë me vendosmëri përpara? Urime për këtë rezultat Ministrit Lleshi, Policisë së Shtetit dhe SHISH?”, shkruan Rama.

Ditën e sotme ish-kryeministri Sali Berisha publikoi në faqen e tij të ‘Facebook’ një mesazh të qytetarit dixhital ku thuhej se Balili ishte vetëdorëzuar në polici. ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ e konfirmuan këtë fakt nga burime zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Kujtojmë se faktin që Balili tashmë është pas hekurave e konfirmoi edhe ministri Lleshaj në një dalje publike për mediat.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: