Klement Balili, deri në mëngjesin e kësaj të marte ishte një nga shqiptarët më të kërkuar dhe jetonte prej më shumë se 2 vitesh në arrati. Publiku vetëm vitet e fundit e dëgjoi emrin e njeriut që nga media greke u cilësua eskobari i ballkanit

Në vitin 2014 Klement Balili u emërua nga LSI Drejtor i Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës. Një nga nipat e tij u zgjodh në atë kohë kryetar i Bashkisë së Delvinës, nën siglën e LSI-së, ndërsa një vëlla i tij ka qenë gjithashtu koordinar i LSI-së po në Jug të vendit. Pikërisht kjo lidhje e fortë me politikën bëri që mediat greke të shkruanin gjerë e gjatë për të. Në vitin 2016 në Greqi dolën disa përgjime të telefonatave të tij dhe u raportua se një biznesmen nga Saranda ishte kryetari i një organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës, por se kishte mbështëetje të fuqishme politike në vendin e tij. Media zbardhi biseda të Klementit bërë me bashkëpunëtorët e tij në Greqi, për organizimin dhe nisjen e skafit të mbushur me rreth 680 kg hashash drejt Greqisë mesnatën e 6 Majit 2016. Një numër i madh anëtarësh të organizatës u arrestuan në Greqi dhe në disa vende europiane, ndërsa Balili vetë mundi të shpëtojë. CNN grek në atë kohë hyri në polemika me ambasadën shqiptare në Athinë pasi botoi një shkrim në të cilin duke iu referuar burimeve të autoriteteve greke, theksonte se oficerë të policisë shqiptare kishin deklaruar se “baronin shqiptar” nuk mund ta arrestonin për shkak se ai kishte mbrojtje politike ne Tiranë.

Për herë të parë dhe të fundit Klement balili u shfaq publikisht në Sarandë, duke mohuar akuzat, ndërsa më pas u zhduk pa lënë gjurmë. Mes institucioneve shqiptare pati një ping pong të gjatë të hedhjes së përgjegjësisë, me policinë e cila deklaroi se kishte kërkuar urdhër arresti nga prokuroria, ndërkohë që kjo e fundit, kishte shpjeguar se nuk mund të vepronte përsa kohë nga hetimi nuk kishin dalë prova për veprimtari të paligjshme në Shqipëri, e se për këtë arsye ishin kërkuar materiale nga pala greke. Dosja për Balilin nga Greqia mbërriti në fund të vitit të shkuar, dhe policia organizoi gjatë muajit dhjetor disa operacione për kapjen e tij, të cilat rezultuan të pasuksesshme. Ai ishte pronar i disa bizneseve, të cilat pas shpalljes së tij në kërkim iu bllokuan. Në këtë kohë e në vazhdim, emri i Balilit u bë kryefjala e deklaratave dhe luftës politike për një kohë të gjatë.

Arrestimi i Klement Balilit ka qenë një kerkesë e vazhdueshme e ish-ambasadorit amerikan Donald Lu, që e përmendte emrin e tij në daljet publike si një ndër peshqit e mëdhenj që s’janë kapur.

Gjatë këtyre viteve Policia e Shtetit ka kryer dhjetera operacione për kapjen e Balilit, por pa sukses.

Dorëzimi i Klement Balilit këtë të martë bëhet pikërisht në momentin kur dhe Prokuroria për Krimet e Rënda sapo ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen për gjykim. Ai akuzohet për “Trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim, “pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”, si dhe për “Pastrim parash”.

Ndërkohë nipi i Balilit, Rigelsi përmes një mesazhi SMS dërguar në adresë të emisionit “Dritare me Rudinën” sqaron se ai  është i kërkuar vetëm në Greqi dhe asnjë vend tjetër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb