Egnatia luan me Skënderbeun me synimin për t’i dhënë fund krizës së rezultateve dhe për t’u rikthyer menjëherë te fitorja në kulmin e kampionatit.
Duket se shkëputja disi në krye dhe sigurimi i “Final 4” ka ulur së tepërmi ritmin e rrogozhinasve, të cilët janë shumë larg asaj formës së tyre optimale. Klubi kërkon një “shkundje” dhe reagim nga lojtarët në fushën e lojës, sepse, dashje pa dashje, po vihet në rrezik i gjithë sezoni. Në kupë, janë në disavantazh për të shkuar në finale, ndërsa në kampionat është vënë në rrezik vendi i parë dhe i dytë. Për më tepër, kalendarin nuk e ka edhe aq të favorshëm, sepse përballë do të ketë dy skuadra që “vuajnë” për pikë mbijetese, si Skënderbeu dhe në fund Teuta. Një tjetër hap fals ndaj korçarëve ditën e nesërme, do të rëndonte edhe më shumë situatën në kampin rrogozhinas, të cilët nuk janë mësuar shumë me presionin e madh për mosarritjen e objektivave.
PROBLEMI – E ka thënë edhe vetë trajneri Edlir Tetova në daljet e tij për mediat, duke e vënë theksin te problematikat që kanë në mbrojtje. Me mungesat e Ndrecës, Malotës dhe Sotës për shkak të dëmtimeve, rrogozhinasit kanë humbur jo pak cilësi në prapavijë. Dhe, si për ironi që do të përligjte edhe problemin me fazën difensive, rrogozhinasit nuk dinë të fitojnë nëse pësojnë gol. Të paktën, kështu ka ndodhur në këtë periudhë të fundit të mini-krizës, ku tri fitoret në dhjetë ndeshjet e fundit janë marrë kur kanë mbajtur portën të paprekur. Respektivisht ka ndodhur ndaj Partizanit, Dinamos dhe Bylisit dhe të trija në shifrat 2 me 0. Në shtatë ndeshjet e tjera që kanë pësuar, kanë dalë pa pikë në tri raste dhe kanë barazuar në katër të tjera. Me pak fjalë, nëse ndaj korçarëve tekniku Tetova do të arrijë të gjejë çelësin për të mbajtur portën të paprekur, mund të marrë tri pikët. Në të kundërt, arritja e një fitoreje duket gati e pamundur që të ndodhë.
NGËRÇI – Nga ajo që vihet re këtë sezon, bie në sy fakti që ekipi i Egnatias nuk është shumë efikase me ekipet që luajnë për mbijetesë. Ndonëse diferencat në pikë dhe kualitete janë të dukshme, në fushë duket se ato zerohen. Përveç Bylisit, që e kanë mundur në këto ndeshje të fundit, me të tjerat kanë çeduar, duke nisur nga Tirana, Laçi dhe Teuta, që i kanë marrë nga një barazim, ndërsa Skënderbeu i ka mundur. Për këtë arsye, kampionët kanë për detyrë të tregojnë se ky ngërç duhet të marrë fund tani që ndahen edhe verdiktet e sezonit.