TIRANE – Kryetari i PD-së Lulzim Basha reagoi përmes rrjetit social “Facebook” lidhur me ngjarjen në Rrogozhinë, ku një 52-vjeçar, i dënuar për abuzime me energjinë elektrike, u vetëvar në qeli me shallin e tij. Sipas liderit të opozitës, “padrejtësitë e kryeministrit po i çojnë qytetarët drejt vetëflijimit”.
“Nuk mjaftojnë ngushëllimet për familjen e varfër nga Lushnja, që humbi të afërmin e saj për një debi të vogël që kishin për dritat, këtë e di mirë. Kryefamiljari që i dha fund jetës në qeli, ka lenë një akuzë të gjallë e tronditëse, akuzë me të cilën duhet të merremi të gjithë si shoqëri. Përpara se të kryente aktin ekstrem, ai ka drejtuar gishtin drejt Edi Ramës dhe padrejtësisë që ai ka krijuar në vend. Vetëm një padrejtësi e tillë, ku dikush ka mbi 30 milionë lekë drita të papaguara e bëhet drejtor, ku dikush ka miliona të papaguara e vazhdon të mos paguajë dhe caktohet shef i energjisë në Tropojë, apo Lushnjë, një padrejtësi e tillë e bën një burrë që gjendet në burg për 30 mijë lekë të vjetra të vetëflijohet. Padrejtësia që ka mbjellë në shoqëri Edi Rama i mori atij jetën. Ne nuk mund dhe nuk do ta lejojmë këtë tragjedi të luhet çdo ditë në mes të qytetarëve tanë. Do të ngrihemi e do ta ndalojmë me çdo mjet. E kemi për detyre për jetët e humbura nga padrejtësia, për qindra mijë bashkëqytetarët tanë që po vuajnë eksperimentin çnjerëzor të Edi Ramës, që nuk po kursen askënd. Thirrja për të ndalur të keqen, më e fortë se kurrë”- shkruan Basha në “Facebook”.

OSHEE: Askush nuk arrestohet për borxhet, por për vjedhje energjie

Pas ngjarjes në burgun e Rrogozhinës, ku u vetëvar një 52-vjeçar i arrestuar për abuzim me energjinë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike akuzon Partinë Demokratike se po përdor ngjarjen e rëndë për të nxjerrë përfitime politike. Në një deklaratë të shpërndarë për media, OSHEE thekson se 52-vjeçari Zela nuk është ndaluar për një debi 35 mijë lekë të vjetra, por për vjedhje të energjisë.

“Duke shprehur keqardhjen e thellë për tragjedinë njerëzore të një të burgosuri në Lushnje, OSHEE hedh poshtë me përbuzje abuzimin monstruoz të disa politikanëve që duan të nxjerrin përfitime vetjake dhe partiake nga kjo ngjarje e rëndë. Eshtë e papranueshme dhe e pajustifikueshme që edhe vetë kryetari i Partisë Demokratike të bëhet pjesë e këtij abuzimi të turpshëm, duke gënjyer haptaz opinionin përmes një shpifjeje të madhe. Jo vetëm që individi në fjalë nuk është ndaluar për një debi 35 mijë lekë të vjetra, po nuk ka asnjë rast ku konsumatorët e energjisë të ndalohen dhe procedohen penalisht për borxhet ndaj OSHEE. Çdo ndalim dhe heqje lirie me burg e konsumatorëve të energjisë elektrike lidhet vetëm me veprën penale të vjedhjes së energjisë përmes lidhjeve apo rilidhjeve të paligjshme. Në këtë drejtim, as OSHEE dhe asnjë institucion tjetër, deri te gjykata, nuk kanë të drejtë të bëjnë interpretime apo tolerime të asnjë natyre, të cilat ndalohen rreptësisht nga Kodi Penal. Vjedhja e energjisë është krim dhe dënohet me burg nga 3 deri ne 5 vjet. OSHEE i bën edhe njëherë thirrje Partisë Demokratike që të mos bëhet mburojë e vjedhësve të energjisë dhe të mos pengojë me propagande antiligjore dhe shpifje të vazhdueshme përpjekjen për nxjerrjen e sistemit te furnizimit me energji nga agonia, ku u fut kompania për shkak të një politike dritëshkurtër antikombëtare.”- thekson OSHEE.

“OSHEE i falenderon të gjithë ata dhjetëra mijëra qytetarë që gjatë tetorit, nëntorit dhe dhjetorit, kanë lidhur e po vazhdojnë të lidhin kontrata të rregullta për furnizimin me energji dhe i fton të gjithë debitorët të përfitojnë nga mundësia për t’i ulur kamatëvonesat në 80% deri në 28 shkurt. Po ashtu OSHEE i siguron klientët e saj se me vetëdije të plotë për rrjetin e amortizuar në vite dhe për vështirësitë që kjo gjendje e trashëguar e rrjetit u shkakton qytetarëve në zona të ndryshme, duke sjellë ndërprerje të energjisë, kompania po punon pa orar për të qenë e gatshme në kohë reale që t’i përgjigjet ankesave të drejta të qytetarëve.”- përfundon deklarata e OSHEE-së.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: