Nga: Monika STAFA

(Vetëvrasja kurrë nuk duhet të publikohet nga media si një mjet për të shkuar drejt lirisë)

Dr. Bill Schmitz (psikolog klinik)

Një grua hidhet nga kati i katërt i një pallati diku nga meskorriku i vitit të kaluar në një periferi të kryeqytetit; një tjetër sërish ka zgjedhur këtë lartësi pak muaj më vonë të kryente vetëvrasje, në një nga rrethinat pranë kryeqytetit shqiptar. Vetëvrasjet e grave kanë vazhduar në kryeqytet gjatë vjeshtës, por edhe në Fier e jo vetëm, nëpër provinca të tjera të Shqipërisë. Muaji janar, i përcaktuar si muaji më i mërzitshëm në kalendarin vjetor prej astrologëve, solli më shumë se katër vetëvrasje të tjera të po kësaj gjinie, përfshi Tiranën, qytetin bregdetar, Durrësin dhe një tjetër qytet jugor të vendit, Tepelenën. Pak ditë më parë ndërroi jetë një grua tjetër në meso moshë, duke zgjedhur t’i jepte fund jetës nëpërmjet rënies nga lartësia.

Thuajse javë për javë për të mos thënë më shpesh se kurrë në shtypin ‘online’ të përditshëm do të ketë një njoftim të tillë. Ndodhin ngjarje të tilla në veri e në jug, në fshat e në qytet, në brezin e parë e të dytë të familjes. Të duket sikur përditë përsëriten këto fenomene të përbindshme të njerëzimit, ‘krimi’ i vetëvrasjes, mëkati fillestar, delikti i kohërave kur kjo shoqëri që ka mbërritur deri në ditët e sotme ende ishte shumë larg jo “familjes së shenjtë e të shëndetshme”, por shumë larg edhe kohëve pagane, atëherë kur dënohej me jorespekt ceremonial ai/ajo që merrte përsipër të kryente një veprim të tillë. E madje, kjo traditë për kurorën perandorake në Europë zgjati deri në fillim të shek. të XIX, me Habsurgasit ku Arqiduka Rudolf i Austrisë, u desh të shpallej i sëmurë mendërisht që t’i kryhej ceremoniali kishtar, meqë kish kryer vetëvrasje së bashku me të dashurën e tij.

Ndërsa përcillen tek lexuesi mes portaleve apo çfarëdo medie tjetër tradicionale apo jo, të tilla lajme të gjëmshme, në mendje rregullisht si një tërmet tronditës vërviten pikërisht pyetjet me të cilat i nis dhe këto shënime. Në mënyrë torturuese më mundojnë këto pyetje kur, në asnjë edicion informativ apo qoftë edhe në mediumet e përshkuara më lart, nuk ka asnjë zë psikologu, sociologu, antropologu, mbrojtësi të të drejtave të të miturve, të të drejtave të grave, organizatat joqeveritare për një familje të shëndoshë, për barazi shansesh, për asistencë në traumë, ndërsa të gjithë pëshpëritin të njëjtën idiomë: vetëvrasjet?! Po, tek gratë më shumë, pse po rritet kaq shumë numri i tyre nga muaji në muaj, nga viti në vit?! – Ja ç’po ndodh! Atëherë e ndjen veten si ajo skulptura e Laokoontit, që ankohet prej mijëra vjetësh se nuk e kuptoi askush. Të gjithë shkojnë para saj dhe fotografojnë pamjen dhe mashtrimin, por askush nuk mundohet të gërvishtë pak më thellë.

Vetëvrasja po shkatërron edhe mendimin se jeta ofron zgjidhje alternative të vazhdueshme dhe brendia morale e problemit nuk është kaq e zorshme sa duket! Pavarësisht se marrëdhëniet brenda gjakut ditën dhe natën, mes të rinjve dhe të vjetërve, çdo javë, çdo muaj, pambarim po shkojnë drejt frustrimit të pandalshëm! Dhe lajmësit e kumtuesit, pa e vrarë aspak mendjen, këtë konfirmojnë. Familja shqiptare është nën peshën e krimit midis vetes, por edhe ndaj vetes: vetëvrasjet, dhuna seksuale është përhapur brenda gjinisë; pa folur për atëvrasës e mëmëvrasës të panumërt, që tmerrojnë dita me ditë njerëzinë. Por analizës i duhet shkuar deri në thelbin e saj! Nëse është e vërtetë që ndër shqiptarët, vetëvrasjet, incesti dhe krimi vrastar brenda gjakut është aq i përhapur sa njoftohet e komentohet rregullisht në shtyp, atëherë dikush duhet të kujtohet më së fundi të pyesë: këto krime me të cilat e ka ndarë veten njerëzimi qysh prej kohërave biblike, prej mbarimit të matriarkatit, prej krijimit të tabusë universale të përjashtimit të fëlligështisë në gjak, prej daljes së botës prej kompleksit të Edipit dhe shpëtimit të njeriut nga fataliteti i marrëdhënies brenda familjes, prej konsakrimit dhe shenjtërimit të familjes monogame, me kaq përhapje sa kanë, a nuk janë shenjë e një zgjimi barbar çmendurak, shenjë e një lajthitjeje të përgjithshme, që duhej të kish tronditur gjithë bashkësinë?!

Ky refren eufemik që përsëritet, gjithmonë për ata që ‘mendojnë’ më shumë nuk pranohet! Është një stad që bota e ka kaluar një herë e mirë, sepse ajo që quhet “vetëvrasje” mund të ndodhë vetëm si një ‘krim’ tejet i rrallë, mbase më i rralli ndër të gjitha krimet, në raste të sëmundjeve patologjikisht fatale, nga të cilat, për fat, arsyeja dhe shëndeti njerëzor janë përgjithësisht të vetëmbrojtura prej vetë rrugës që ka ndjekur njerëzimi. Mirëpo, nëse “vetëvrasja” nuk ka këtë shpjegim të rëndomtë dhe gjenetikisht e racërisht penalizues, çfarë mund të jetë vallë? Diçka më e lehtë? Diçka më e fshehtë?! Me sa duket po.

Në veprën e tij “Totem e tabu” psikanalisti i mirënjohur Zigmund Freud ka përcaktuar rrugën historike të krijimit të tabuve njerëzore, njëra prej të cilave, në mos themelorja është përjashtimi apo ndalimi i vetëvrasjes, por jo më pak dhe përjashtimi e ndalimi i krimeve të tjera në familje. Arsyetimi i frojdistëve dhe i neofrojdistëve, që me sa duket është më bindësi edhe për historitë shqiptare me këtë lloj ‘krimi’ në familje, është se përgjithësisht ato krime që paraqiten si të tilla, në të vërtetë në shumicën e rasteve nuk janë aspak si duken. Sepse rruga historike e ngulitjes së tabusë (ndalimit) ka krijuar tek njeriu fiziologjikisht mekanizmat vetëmbrojtës, mekanizmin e pamundësimit të kryerjes së një akti të tillë kur njeriu edhe në zgrip të mendjes së tij, i aktivizon ato. Edhe sikur vetëdija t’ia nxisë njeriut prapësinë, historia njerëzore ka bërë përkryerjen psikologjike dhe fiziologjike, që ta bëjë të pamundur këtë ‘krim’, përmes sistemesh frenimi, që nuk mund t’u gjesh shpjegim racional të pastër.

Ka një krim tjetër që fshihet pas “vetëvrasjes”, sipas analizës frojdiste dhe postfrojdiste. Duket se njeriu kryen këtë akt-krim, por në fakt, përveç rasteve të sëmundjes patologjike, kur kjo marrëdhënie arrin të kalojë tabunë e të realizohet, vetëvrasje nuk është. Thjesht fotografohet e lexohet kështu. Në thelbin e vet këto fakte njoftojnë për një shtrembërim shumë më të hershëm në familje. Në thelbin e tyre gjërat janë pak më ndryshe. Ka një shprishje gjaku në mes, që realitetin nuk e duron dot më. Në familje ka shtrembërime dhe fiktivitete të rënda. Dhe ky shtrembërim i hershëm paraqitet si vetëvrasje. Cilat janë ato? Analizat psikologjike frojdiane kanë shpjegimin e tyre, por që shoqëria jonë, apo edhe njerëzit e profesionit nuk kanë kohë t’i shtjellojnë.

Të gjitha këto raste “vrasje” dhe “vetëvrasje”, apo anasjelltas, janë njëherësh edhe çështje të kriminalistikës. Viktimat ikin duke lënë pas dyshimet e një bote dhe dilemat për një të ardhme më të mirë, familjet shkatërrohen por zgjidhjet nuk mësohen asnjëherë që ky fenomen të mos dendësohet siç ka ndodhur së fundmi. Lajmet që jepen sigurisht përbëjnë lajm, por pas duhet të shoqërohen me analizë që ato të mos intensifikohen dhe të mos shihen nga grupe vulnerable të tilla, si çlirim drejt lirisë vetjake nga një botë që s’të nxë më. A ka ndodhur qoftë edhe në një rast të vetëm që një institucion të ketë kërkuar, psh., të bëhen analizat mbi këtë gjindje tek kjo gjini bazuar mbi shifrat e fundit të ofruara, për të provuar përfundimisht nëse vërtet është rasti i një të sëmuri a snobi që ka shkuar në kufijtë e vetëvrasjes? Një gjë e tillë nuk ndodh ndër ne. Ne ende kemi një turpërim tërësor prej këtij akti, që trondit themelet e racës dhe të bashkësisë sonë. Ne ende turpërohemi nga një hetim për të zbuluar të vërtetën. Ndaj duhet kërkuar krimi tjetër përtej aktit të vetëvrasjes për ta çliruar këtë shoqëri nga makthi i barbarisë… ju psikologë, sociologë dhe antropologë.
http://www.gsh.al/2018/03/27/vetevrasja-turpi-qe-na-mban-ende-mberthyer/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: