Përgjimet e fundit audio të botuara pardje nga gazeta e mirënjohur gjermane “Bild” (Fotografia) hedhin dritë mbi anën e errët të “hënës” zgjedhore tek ne. Pra, të të gjitha ecejakeve të fshehta ose të hapura në sytë e banorëve, sidomos atyre të fshatrave, gjatë zgjedhjeve vendore ose të përgjithshme. Të përpjekjeve dhe manovrimeve të “agjentëve” (koordinatorëve) të partisë në terren për të bindur me pahir njerëzit të votonin për atë parti që kishte pushtetin. Edhe me kërcënime të hapura apo të fshehura për humbje të vendit të punës në administratën shtetërore (në rastin konkret, të punës si mësues në shkollat e Dibrës gjatë zgjedhjeve vendore në këtë qark në vitin 2016).

Por, kjo nuk ka ndodhur vetëm në Dibër në vitin 2016. Ka kohë që ndodh. Që nga “loja e Dushkut” 18 vite më parë. Pra, po ndodh në afër dy dekadat e fundit. Denoncimet e ndërkombëtarëve ndaj mekanizmave të panumërt të ndikimit abuziv mbi të drejtën e qytetarit për të ushtruar i lirë zgjedhjen e tij se cilës parti do t’ia japë votën kanë qenë jo shteruese. Pa kapur raste flagrante të shitblerjes ose ndikimit abuziv e gati me dhunë mbi dëshirën e qytetarit për të votuar.

Ndërkombëtarët në raportet e tyre, edhe pse kanë pasur me dhjetëra vëzhgues vendorë në terren, janë mjaftuar në përshkrimin e mënyrave të shitblerjes së votës, pa denoncuar raste konkrete. Edhe denoncimet pas zgjedhjeve të partive të vogla, ose të grupeve të qytetarëve apo të shoqërisë civile kanë marrë injorimin maksimal të prokurorëve të lidhur me mijëra fije me partitë më të mëdha politike. Partitë kryesore kanë mbuluar zullumet e njëra-tjetrës, sa herë alternoheshin (vinin njëra pas tjetrës) në pushtet.

E vërteta qëndron në faktin se në shitblerjen e votës dhe në ndikimin gati të dhunshëm për të devijuar vullnetin e qytetarit janë përfshirë që të tria këto parti. Duke grabitur votat në tavolinë, edhe brenda kutive të votimit. Kush më shumë e kush më pak. Të tria janë fajtore njësoj për këtë mekanizëm përbindësh që kanë ngritur në këmbë. Trafiku i votës është përsosur dhe stërholluar, duke gjetur me dhjetëra mënyra të reja “krijuese” për të ndikuar te hallet e njerëzve. Nga thesi i miellit i ofruar për më të varfrit për t’ua kushtëzuar votën, te paratë nën dorë, apo premtimet për futjen në punë në administratë. Apo edhe kërcënimet (sikurse i dhanë përgjimet e fundit të publikuara nga “Bild”), për largim nga puna, nëse nuk deklaron hapur votën.

Skandali i “Bild” nxori lakuriq partinë e sotme në pushtet. Por të tilla përçapje, presione dhe sprova për të bindur njerëzit me pahir të votojnë i kanë bërë pa kursim edhe dy partitë e sotme të larguara nga parlamenti. Madje, njëra të ofronte vende pune në administratë, në këmbim të anëtarësimit të 50 të afërmve dhe miqve të tu në parti. Prandaj dhe nuk ka shumë habi te qytetarët tanë, nga denoncimet e gazetës gjermane. Thjesht shprehen “Ja, i nxori edhe gjermani maskarallëqet tona!”. Prej këtej, të nisesh për të destabilizuar vendin është një mision i vështirë.

Gati i pamundur. Megjithatë, vetingu i procesit zgjedhor duhet bërë një orë e më parë. Dhe duhet ta fillojë pikërisht partia e sotme në pushtet, mbi të cilën bie përgjegjësia më e madhe e mbajtjes së ekuilibrave të brishtë politikë të vendit. Pavarësisht nga përpjekjet në kah të kundërt të opozitës së sotme të vetëlarguar nga parlamenti. Edhe me koston e humbjes së “agjentëve” të terrenit, çunave të fortë (pak problematikë, sikurse u referohet një ish-ministër në një përgjim) të lagjes, qytetit apo fshatit. Vetingu zgjedhor duhet zbatuar urgjentisht pikërisht nga Partia Socialiste në pushtet, paralel me mbështetjen ndaj reformës madhore në drejtësi, kampione e së cilës kjo parti pretendon të jetë. E ka një rast vetingu të filluar pa praninë dhe mbështetjen themelore të ndërkombëtarëve.

Atë që filloi dhe zbatoi me sukses një shërbestar dhe ish-ministri më cilësor i saj, Fatmir Xhafaj, me vetingun në radhët e policisë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se manipulimet dhe ndikimet abuzive mbi votën nuk kanë deformuar asnjë nga rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve vendore apo të përgjithshme. Votat e blera, të mohuara, të numëruara gabim apo të trafikuara nuk kanë kapur, për fat të mirë, me gjithë përpjekjet e partive kryesore, atë masë kritike për të përcaktuar fituesin (përjashto rastin e zgjedhjeve vendore në Tiranë në vitin 2011). Partia e sotme në pushtet duhet të nisë katarsisin dhe vetingun nga vetja e saj, sidomos për qasjen në zgjedhje në zonat ku rezultati parashikohet i ngushtë. Sigurisht që nuk bëhet fjalë për votimet e 30 qershorit, pse aty nuk ka nevojë për asnjë manipulim, pasi kjo parti nuk ka kundërshtarë realë.

Duhet të veprojë me sinqeritet dhe pastërti, duke u larguar nga “agjentët” e përkushtuar në terren. Ata që mund edhe të kenë marrë vlerësime nga “të mëdhenjtë” për “forcën” e bindjes së tyre te njerëzit që të votojnë partinë, koordinatorë të së cilës janë. Por që nga “Bild” u kuptua se kjo “bindje” ishte në fakt më shumë në formën e presioneve dhe madje, dhunës verbale e psikologjike mbi njerëzit, në qindra e më shumë raste. Madje, edhe duke i kërcënuar me humbjen e vendit të punës në administratën shtetërore. Ose duke ofruar edhe “çokollata” në formën e parave kesh nën dorë për të fituar votën. Në prani ose jo të çunave problematikë. Qasje këto të përdorura rëndom nga të tria partitë tona kryesore. Kjo është ana e errët e “hënës” sonë zgjedhore, të cilën e dimë të gjithë, por që gazeta gjermane na e ofroi me zë dhe shkrim. Duke na dhënë shansin e një reflektimi të thellë. Dhe kurrsesi të një revolucioni për të përmbysur kazanin! /Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb