Dje gazeta e mirënjohur “Financial Times (Kohët Financiare)” që botohet në Londër dhe shpërndahet në të gjithë botën(ka 1 milionë lexues që paguajnë për shkrimet e saj, nga të cilët 750 mijë nëpërmjet internetit), botoi shkrimin “Shqipëria i ngul shpresat në reformën gjyqësore për pranimin në BE”. Gazetarja Valerie Hopkins, korrespondente për Ballkanin Perëndimor, theksonte se “Shtetet që janë dakord për fillimin e negociatave me Shqipërinë thonë që vendi po bën më shumë se sa kanë bërë vende që janë anëtarësuar kohët e fundit, duke zhvilluar reforma rrënjësore, dhe prandaj duhet shpërblyer. “Mund të shohësh Hungarinë, Rumaninë, Sllovakinë, Poloninë, ose shtete të tjera të cilat janë anëtarësuar së fundmi, sektori më problematik në të gjitha shtetet mbetet sistemi gjyqësor” tha një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian në Bruksel për Financial Times”(https://www.ft.com/content/229a8600-8dd5-11e9-a1c1-51bf8f989972). Ç’do të thotë kjo?

Do të thotë se ne ende si qytetarë nuk kemi kapur përmasat e asaj që ka nisur të kryhet tek ne. Të reformës së mirëfilltë në drejtësi. Kemi 800 gjyqtarë dhe prokurorë gjithsej si vend. Nga këta janë vetuar(kontrolluar për nivelin e përgatitjes së tyre profesionale dhe për burimet e pasurisë personale që kanë krijuar ndër vite duke punuar në organet e drejtësisë sonë) 160 syresh. 60 për qind e këtyre 160 gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk ia kanë dalë! Ose kanë dhënë dorëheqjen(“pse të futem në një lojë ku nuk do kem shanse të justifikoj pasurinë e fituar abuzivisht?”), ose janë shkarkuar nga organet e vetingut. Mund të ketë patur disa vendime të diskutueshme nga strukturat e vetingut në drejtësi, por “Përjashtimi forcon rregullin”, shprehej Anshtajni. Një gjë të tillë nuk e kanë filluar, madje as edhe folur për të ose planifikuar ta bëjnë, vende anëtare të BE-së si Hungaria, Romania, Sllovakia e Polonia, ku sistemi gjyqësor ka probleme të mëdha me aftësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe integritetin e tyre. Ndoshta nuk është i kalbur fund e krye, sa po provon të ketë qenë këtu tek ne. Por gjyqësori ngelet problemi më madhor i këtyre vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Brukseli vlerëson shumë rastin shqiptar. Që nëse do të ketë sukses ai, të mund ta replikojë edhe në shtetet anëtare të BE-së. Kjo nuk është pak për një vend si i yni, ku bisturia e mirëfilltë në drejtësi as që mund të mendohej të niste, pa investimin e aleatit tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gazeta “Financial Times” i lexon nën optikën e frikës që ka ngjallur vetingu real i drejtësisë në Shqipëri zhvillimet e fundit politike tek ne, kur shprehet se “Kam frikë se përshkallëzimi i situatës së brendshme është goditja e fundit,” thotë një diplomat nga Brukseli”. Ç’do të thotë kjo për ne si qytetarë? Atë që të huajt këtu e kuptojnë shumë qartë dhe po aq qartë edhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian në Bruksel. Turbullimi i deritanishëm i ujërave të politikës sonë të brendshme është tërmeti i fundit për rrëzimin e murit anti-korrupsion të vetingut. 30 qershori nuk do të jetë kurrsesi shpëtimi i vetingut. Votimet e shëmtuara në mungesë të garës zgjedhore do të mund të theksojnë mbështetjen popullore të partisë në pushtet(së bashku me rrezikun real të euforisë partiake për fitoren “votat plumba për armikun!”), por nuk kanë të bëjnë kurrsesi me reformën në drejtësi dhe rrugëtimin e mëtejshëm të saj. Përkundrazi, entuziazmi dhe euforia e “fitimtarëve” të partisë në fuqi mund të rrezikojë influencimin e strukturave të vetingut ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve në radhë për t’u vetuar, që kanë parë ose janë të detyruar “të shohin rozë”. Vetingu duhet të ecë kështu i pavarur si ka avancuar deri tani, me gjithë disa vendime të diskutueshme, që janë të natyrshme. Ai është garancia jonë për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian në vjeshtë të këtij viti, jo 30 qershori. Fitimtarët socialistë të një procesi pa garë duhet ta ndjejnë veten të dështuar në triumfin e tyre. Pse ishte një proces ku nuk i dëgjuam njëherë të flisnin për gabimet(fajet jo e jo) që kanë bërë në drejtimin e pushtetit vendor gjatë viteve 2015-2019. Për çfarë nuk shkoi mirë dhe duhet ndrequr urgjentisht. Nuk dëgjuam një autokritikë të vetme. Një zë kritik në koret e triumfit socialist. Dhe kjo është gjëja më shqetësuese në këtë pushtet absolut që po projektohet drejt së ardhmes sonë, pavarësisht përkrahjes së SHBA-ve dhe BE-së për legjitimitetin e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb