Emisioni investigativ Vetting në News24

Emisioni Vetting në News24 ka analizuar buxhetin e shpenzuar për rindërtimin brenda këtyre 5 viteve. Nga hulumtimi  i dokumentacionit rezulton se rindërtimi pati një buxhet prej 80 miliardë lekësh ndërmjet viteve 2020-2023, ndërsa të tenderuara pa TVSH janë 96.65 miliardë lekë për 859 tenderë. Në këtë episod do të përqëndrohemi tek procesi i tenderimit për ndërtimin e banesave në Thumanë. Cilat janë kompanitë që punuan për rindërtimin në Thumanë, lidhjet e mundshme me pushtetin dhe abuzimet me fondet?

 

Më 15 shkurt 2021, Bashkia Krujë do të njoftonte hapjen e garës për tenderin “Ndërtimi i Atrium Center Thumana” me fond limit 220 milionë lekë ose 2.2 milionë euro.

Ky objekt me emërtim “ATRIUM CENTER THUMANA” do të ishte një godinë publike me shërbime administrative, shëndetësore, kulturore me një kat dhe do të ofronte të gjitha shërbimet e nevojshme të një qendre të urbanizuar.

Madje fillimisht, në dhjetor 2020 me Vendim të Këshillit të Ministrave një pjesë e këtij fondi me vlerë 40 milionë lekë ose 400 mijë euro do ti transferohej Bashkisë Krujë në formën e transfertës së pakushtëzuar.

Më prill 2021, Bashkia Krujë nëpërmjet procedurës së kufizuar do të shpallte fitues kompaninë “ALESIO-2014” në pronësi të Anton Gjinaj me ofertë fituese pothuajse sa fondi limit me vlerë 2.2 milionë euro.

Agroni Haxhimali, kryetar i Institutit të Bashkive, shprehet se “grupe të ndryshme interesi influencuan fuqishëm në interesat e pushtetarëve qoftë  lokal qoftë qendror sikurse dhe të dyja pushtetet, qendrori dhe lokali përpiqen të kanalizojnë me manovrat e tyre tek interest e tyre. Këtu në fakt janë dy interesa ai ekonomik dhe ai që është vënë re për tu përqëndruar në zona të caktuara elektorale”.

Ekperti i ekonomisë Pano Sako thekson se “jam akoma më i bindur se procesi i rindërtimit u përdor si një ombrell për të mbuluar afera korruptive që çuan përfitimin në një grup njerëzish”.

Por si pushteti qendror dhe ai lokal, me manovrat e tyre, përpiqen të kanalizojnë investimet tek grupet e tyre të interesit.

Por kush është fituesi i këtij tenderi?

Kompania “Alessio 2014”, një nga kompanitë e ndërtimit që është kontraktuar nga institucione të ndryshme publike, që ka punuar edhe si nënkontraktor në ndërtimin e rrugëve dhe objekteve të ndryshme publike. Prokuroria e Posaçme ka dyshime se të ardhurat janë krijuar nga aktivitetet kriminale të pronarit, Anton Gjinaj (njihet edhe me emrat Pashuk Gjini alias Pashk Rrapi), i cili është dënuar për drogë në Spanjë dhe që për rrjedhojë, duhet të konfiskohen për llogari të shtetit.

Në korrik 2023, SPAK njoftoi se kishte dërguar disa kërkesa për konfiskim në gjykatë për kompani, prona të paluajtshme apo llogari bankare, në bazë të ligjit “Antimafia” për këtë subjekt. Ky konfiskimi i pasurisë realizohet pas sekuestrimit të përkohshëm, i cili është vendosur për rreth 23 asete të Anton Gjinaj që në vitin 2022. Gjinaj nëpërmjet kompanisë “ALESIO-2014” dhe bashkimeve me kompani të tjera ka marrë rreth 20 milionë euro prokurime publike dhe evidentohet në padinë e dorëzuar në SPAK nga Partia Demokratike së bashku me kompani të tjera për Programin e Rindërtimit.

Arlind Qori, kryetari i Lëvizjes Bashkë thekson se “në zona ku janë më të prekura nga tërmeti organizatata kriminale kanë lulëzuar kanë parë një mundësi të art për të marr dhe përfituar miliona e miliona euro nga buxheti i shtetit, të cilat janë akorduar pa konkurecë pa llogaritur kostot pa llogaritur kapacitetet e ndërtimit të këtyre firmave që kanë marr këto fonde. Dhe janë sot një nga burimet kryesore të financimit të krimit të organizuar që sot kthejnë një pjesë të këtyre fitimeve partive politike duke i financuar në mënyrë të paligjshme”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb