Para disa ditësh, Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro ishte e ftuar në emisionin “Kjo javë” në “News24”, ku foli edhe për problemin e mbetjeve të rrezikshme. Paraprakisht, “Vetting” kishte zbuluar se kompania “SOKOLAJ” në pronësi të Gjovana Sokolaj, e cila është nën hetim nga Prokuroria e Durrësit kishte shtuar një kod në vitin 2023 nga licenca që kishte marrë miratimin nga Ministria dhe Agjencia e Mjedisit për transportin e mbetjeve të rrezikshme. Kompania ka përfituar kodin e ri “12 01 17*”, i cili bën fjalë për mbetjet e materialeve shpërthyese, të tjera nga ato që përmenden te kodi 12 06 01.
Misteri me këtë kod lidhet me faktin se askush nuk e di se për çfarë mbetjesh të rrezikshme bëhet fjalë. Gjatë një prononcimi të ministres Kumbaro, për News24 e ftuar nga gazetarja Nisida Tufa, e cila u pyet “një vit më pas leja e kompanisë pëson ndryshime, të cilat do të rrisnin kapacitetet e mbetjeve toksike dhe është çështja e kodeve, që të mos i hyjmë çështjes së kodeve… ajo që shqetëson publikun, por nuk di nëse mund ta marr nga ju këtë përgjigje. Për çfarë mbetjesh materialesh shpërthyese flasim që përdoren nga kompanitë private apo nga ushtria?”
Mirela Kumbaro: Licenca që nuk i intereson publikut se si quhet, është licenca e parashikuar nga ligji III.2.B.”
Pavarësisht shqetësimit se për çfarë mbetjesh të rrezikshme të lëndëve plasëse bëhej fjalë, ministrja Kumbaro nuk iu përgjigj pyetjes së gazetares Nisida Tufa, por edhe shqetësimit të ngritur më herë nga emisioni “Vetting”.
Por le të rikthehemi te dokumentet zyrtare të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, ku në vitin 2022 janë eksportuar vetëm 37 kg mbetjesh toksike.
Përveç vitit 2022 që përkon me licencën e marrë nga “SOKOLAJ” sh.p.k kemi edhe një detaj të rëndësishëm që vjen për herë të parë nga “Vetting”.
Në raportin zyrtar për gjendjen e mjedisit evidentohet se janë eksportuar nga Shqipëria 37 kg mbetjesh të rrezikshme, që përmbajnë absorbente, lecka të kontaminuara, paketime të kontaminuara, filtra naftë, mbetjesh materiale shpërthyese etj.
Duhet theksuar se këto mbetje nuk janë specifikuar dhe janë vendosur bashkë dhe ngrihet pyetja: Si është bërë eksporti?
Pra, gjenerimi i një sërë transaksionesh, veprimesh dhe marrja e një autorizimi nga Ministria e Mjedisit për vetëm 37 kg mbetje toksike, ngrenë pikëpyetje se me çfarë mbetjesh toksike kemi patur të bëjmë.
Por si arriti një kompani si “SOKOLAJ” sh.p.k të marrë një licencë kaq të rëndësishme dhe të krijojë një grup kompanish me shtrirje jashtë Shqipërisë?
Kjo kompani është themeluar në vitin 2006 nga Gjovana Sokolaj dhe bashkëshorti Doni Sokolaj dhe ka patur si aksioner edhe turkun Serdar Can Hakliol, i cili aktualisht rezulton aksioner te kompania “Florester Metalik” së bashku me Gjovana Sokolaj. Ky subjekt ka si veprimtari kryesore tregtimin me shumicë dhe pakicë të të gjitha materialeve të ndërtimit dhe çdo materiali tjetër që përdoret në sektorin e ndërtimit.
Sipas gazetarit Gjergj Thanasi është shumë e vështirë të realizohet një numër i lartë dokumentesh dhe veprimesh në kohë kaq të shkurtër.
Sipas gazetarit Gjergj Thanasi është shumë e vështirë të realizohet një numër i lartë dokumentesh dhe veprimesh në kohë kaq të shkurtër. Më tej, Thanasi shtoi se “mënyra se si është formuluar dokumentacioni i firmës guackë SOKOLAJ sh.p.k dhe bishtave të saj, se ka firma në Greqi, në Maqedoni, ka firmë në Kroaci, që të gjitha janë si ato matrioshkat ruse, tregon që është një mendje shumë e zgjuar që është mbrapa këtij trafiku që ka bërë dokumentacionin.”
Muajin e kaluar Prokuroria e Durrësit nisi hetimet ndaj kompanisë “SOKOLAJ” shpk, e cila dyshohet se ka bërë eksportin e mbetjeve toksike nga Porti i Durrësit.
Gazetari Gjergji Thanasi shprehet se “është lënë gjurmë edhe te terminali i kontenierëve, terminali i kontenierëve është ndarë nga pjesa tjetër e Portit dhe ke Sigurinë Portuale, ke dogana”.
(BalkanWeb)