TIRANË

Këshilli i Ministrave ka akorduar 18 milionë lekë për disa prej institucioneve të drejtësisë. Me anë të një VKM-je, qeveria shqiptare ka caktuar 7 milionë lekë për Komisionerin  Publik, 9 milionë lekë për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit si dhe 2 milionë për Komisionin e Posaçëm të Apelimit.

Ky fond u akordua me kërkesë të Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë në kuadër të projektbuxhetit rezervë të 2019. Fondi në fjalë shkon për veprimtarinë e këtyre institucioneve, të cilat vijojnë të kryejnë një punë aktive, sidomos në procesin e vettingut.

VKM-ja:

V E N D I M PËR NJË SHTESË TË FONDEVE BUXHETORE PËR INSTITUCIONET E SISTEMIT TË DREJTËSISË, PËR VITIN 2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Institucioneve të sistemit të drejtësisë, në grupin buxhetor nr.63, në shpenzimet korrente, të miratuara në buxhetin e vitit 2019, i shtohet fondi i përgjithshëm prej 18 0000 000 (tetëmbëdhjetë milionë) lekësh, i detajuar në programet buxhetore, si më poshtë vijon:
  2. a) 9 000 000 (nëntë milionë) lekë në programin “Veprimtaria e rivlerësimit kalimtar të magjistratit”;
  3. b) 2 000 000 (dy milionë) lekë në programin “Veprimtaria e apelimit të rivlerësimit kalimtar;
  4. c) 7 000 000 (shtatë milionë) lekë në programin “Veprimtaria e Komisionerit Publik”.
  5. Fondi i përcaktuar në pikën 1, të vendimit, të përballohet nga fondi rezervë i institucioneve të sistemit të drejtësisë për vitin 2019.
  6. Ngarkohen Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Komisionerët Publikë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb