Problemet me pasurinë nxorën jashtë radhëve të sistemit të drejtësisë, Besa Nikëhasanin. Prokurorja e Apelit Shkodër u shkarkua nga detyra me vendim të formës së prerë nga Kolegji i Posacëm i Apelimit. Vendimi u mor nga trupa gjykuese, që kryesohej nga Sokol Como, pas mbledhjes së gjatë në dhomën e këshillimit.

Nikëhasani u vetua me përparësi, për shkak se kandidonte për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, por nuk ia doli të kalonte me sukses filtrin e trefishtë të kontrollit. Nga hetimi administrativ rezultoi se subjekti nuk justifikonte dot pasurinë dhe kishte mungesë të të ardhurave të ligjshme.

Nikëhasani e kundërshtoi ashpër vendimin dhe hapi i asaj i radhës, ishte përballja me Kolegjin, betejë të cilën e ka humbur tashmë. Shkarkimi i Nikëhasanit, fut në ngërc krijimin e institucionit të ri të KPL, kjo për faktin se nga katër kandidatë, tre janë shkarkuar.

Luan Kaloci, ishte i vetmi kandidat për KLP nga prokuroria e Apelit Tiranë. Nëse vendimi për shkarkimin e tij, mbetet në fuqi edhe në Kolegjin e Posacëm të Apelimit, atëherë prokuroria e Përgjithshme duhet të rihapë garën dhe të ftojë prokurorët të kandidojnë për një vend në institucionin e ri që pritet të krijohet në kuadër të reformës në drejtësi.

Edhe Bujar Hoti, prokuror në Apelin e Durrësit, nuk e kaloi proviomin e vettingut, për shkak të probleme me pasurinë.  I vetmi kandidat i konfirmuar në detyrë, është prokurori Arben Dollapaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb