Në Kuvend janë depozituar emrat që kandidojnë për vakancën në Gjykatën Kushtetuese.
Në listë janë përfshirë 10 kandidatë, mes të cilëve edhe Naureda Llagami, ish-Kryetare e KLGJ-së, dhe Nurihan Meta Seiti, ish-anëtare e KLP-së.
Por gjithashtu në listën e kandidatëve është edhe emri i Alfred Ballës, ish-Kryetarit të KLP-së, të shkarkuar pak muaj më parë me vendim të KPA-së.
Në vendimin e KPA-së thuhet se subjekti i rivlerësimit, Alfred Balla, nuk mund të emërohet si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë të Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Në këto kushte, automatikisht, ish-Kreu i KLP-së, nuk mund të jetë kandidat as për vakancën në Kushtetuese, për shkak se është përjashtuar nga sistemi gjyqësor për një periudhë 15 vjeçare.
Lista e kandidatëve për vakancën në Kushtetuese
Klodian Rado
Alfred Balla
Eris Hysi
Gentian Zyberi
Irena Nino
Roland Ilia
Sinan Tafaj
Naureda Llagami
Nurihan Meta Seiti
Nertila Sadedini
Pse KPA shkarkoi Alfred Ballën
KPA pranoi ankimin e Komsionerit Publik ku thuhej se Alfred Balla ishte subjekt rivlerësimi, por hoqi dorë nga detyra me vullnet të lirë, duke mos iu nënshtruar kështu procesit të vettingut. KPA rrëzoi vendimin e mëparshëm të KPK-së, shkalla e parë e vettingut, që kishte ndërprerë rivlerësimin pa një vendim përfundimtar.
“Trupi gjykues e gjen të drejtë ankimin e Komisionerit publik duke konkluduar se vendimi i KPK-së është i pabazuar në fakte e ligj dhe si i tillë duhet ndryshuar. Trupi gjykues me shumicë votash vendos ndryshimin e vendimit nr 675 të KPK-së si më poshtë: Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Alfred Ballën. Subjekti i vlerësimit nuk mund të emërohet gjyqtar apo prokuror i çdo niveli, anëtar i KLP-së apo KLGj-së, inspektor i lartë i drejtësisë apo prokuror i përgjithshëm për një periudhë 15 vjeçare”, tha relatorja e KPA, Ina Rama.
Vendimi u dha në datën 21 maj 2024, nga trupa gjykuese e përbërë nga Ina Rama kryesuese, Albana Shtylla relatore, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë. Pas vendimit të KPA, Alfred Balla reagoi në një postim në rrjetet sociale duke e cilësuar të turpshëm, ndërsa lajmëroi se do t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut.
(BalkanWeb)