TIRANË- Komisioni i Pavarur i Kulaifikimit kërkon shtesë personeli në këtë institucion si dhe rritje pagash. Gazetarja Marsela Karapanço ka siguruar për “BalkanWeb” shkresën e dërguar kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, kreut të komisionit të ligjeve Ulsi Manja, Ministrit të Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj si dhe për dijeni sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.

Në kërkesë thuhet se organika ka në përbërje 12 këshilltarë juristë dhe 4 këshilltarë ekonomistë. Pas shpërndarjes së çështjeve në trupat gjykuese, një këshilltar ekonomik duhet të punojë njëkohësisht me 3 këshilltarë juristë për tri çështje të ndryshme, pra, të mbuloje 3-fishin e punës së këtyre të fundit.

letra-1

 

Ndaj KPK thotë se duke parë ngarkesën e madhe dhe voluminoze në mbulimin e dosjeve të subjekteve të rivlerësimit, kohën e limituar që ka institucioni për realizimin e misionit, objektivave dhe detyrave të caktuara nga Kushtetuta, e vlerëson si tepër të rëndësishme rritjen e numrit të personelit me: 8 këshilltarë ekonomistë, duke e çuar numrin e tyre në 12 këshilltarë ekonomistë.

Gjithashtu, në përbërjen e institucionit sot punojnë vetëm 3 përkthyes, të cilët duhet të sigurojnë realizimin e një numri të madh faqesh përkthimi brenda një kohe të shkurtër dhe me cilësi të lartë, kërkesa këto të diktuara nga natyra e veprimtarisë së Komisionit. Duke marrë në konsideratë rëndësinë e veçantë që ka përkthimi për komunikimin e akteve dhe gjithë dokumentacionit te partnerët e huaj, KPK kërkon shtesë personeli me 2 përkthyes, për të arritur në total në 5 përkthyes.

Po kështu në shkresë thuhet se në strukturën e Komisionit është parashikuar vetëm 1 specialist protokoll/arkivë. Gjatë kësaj periudhe të parë të punës, është vënë re se specialisti është përballur me një volum të lartë pune që rrjedh nga sasia e madhe e dokumentacionit hyrës dhe dalës që duhet të pranohet dhe të shpërndahet në trupat gjykuese. Më konkretisht, vetëm gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2018 numri rendor i protokollimeve ka arritur mbi 5 mijë.

Duhet theksuar se një shkresë dalëse me anë të së cilës kërkohet informacion, dërgohet në 36 drejtime të ndryshme (ku përfshihen bankat, degët e tatimeve, zyrat vendore të regjistrimeve të pasurive të paluajtshme, ILDKPKI, Prokuroritë, degët e ALUIZNI-it etj.)

Sipas kërkesave të dërgimit postar, në çdo zarf duhet të shënohet adresa e marrësit dhe të plotësohet fleta e lajmërim-marrjes, për të vërtetuar marrjen në dorëzim të tij.

KPK thotë se këto kërkesa kanë bërë që specialisti i protokollit të punojë pothuajse përditë mbi orarin zyrtar të punës, madje edhe ditët e shtuna apo të pushimeve zyrtare. Në shumë raste specialisti është ndihmuar nga punonjës të tjerë të Komisionit, të cilët kanë krijuar vakum në punën e tyre të përditshme.

Për më tepër KPK deklaron se ngarkesës së përditshme në këtë sektor, i shtohet edhe mbajtja e postës sekrete, që ka specifika të veçanta për ruajtjen dhe përpunimin e dokumentacionit dhe kërkon më shumë përqendrim, përgjegjësi dhe përgjegjshmëri të lartë. Duke pasur parasysh sa më sipër, KPK kërkon shtesë në personel me 2 specialiste shtesë protokoll/arkivë.

Po kështu bëhet e ditur se në strukturën e Komisionit janë parashikuar vetëm 4 specialistë të sekretarisë gjyqësore, një për secilën nga katër trupat. Nga përvoja e deritanishme KPK ka konstatuar nevojën e më shumë specialistëve të sekretarisë veçanërisht për mbarëvajtjen e procesit të apelimit të vendimeve të Komisionit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Kjo për arsye sepse procedura e dërgimit të vendimeve të ankimuara në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është e ngjeshur dhe duke marrë parasysh volumin e faqeve të dokumenteve (më shumë se një mijë faqe për një çështje) të cilat inventarizohen, numërtohen dhe siglohen, kërkon një kohë të gjatë dhe më shumë burime njerëzore për të respektuar të gjitha kërkesat dhe afatet ligjore që lidhen me ankimin. Për këtë arsye, KPK kërkon një shtesë prej 2 specialistësh të sekretarisë gjyqësore, të cilët së bashku me 1 specialist protokoll/arkivë do të ngarkohen të përmbushin detyrat ligjore të dërgimit të dosjeve të ankimuara pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, raporton “BalkanWeb”.

Një tjetër konstatim i KPK është nevoja e një specialisti prokurimesh, detyrë të cilën aktualisht e mbulon një nga specialistet e sekretarisë gjyqësore. Për këtë arsye, kërkohet shtesë në organikë me 1 specialist prokurimesh.

Shqetësimi i fundit ka të bëjë me shtimin e një sanitareje. KPK thotë se godina ku ushtrohet veprimtaria përbëhet nga katër kate, tre prej të cilave janë mjedise pune për stafin e Komisionit. Organika ka parashikuar vetëm një punonjës pastrimi.

“Duke marre në konsiderate respektimin e kushteve higjieno-sanitare, kërkojmë shtesë me 1 punonjës pastrimi”, thuhet në kërkesën e KPK.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është organ i ri kushtetues, me mandat 5-vjeçar, i krijuar me ndryshimet e reja të Kushtetutës, si pjesë e paketës për Reformën në Drejtësi, për krijimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe profesional të çliruar nga korrupsioni.

letra-2

Ndërkaq në shkresën për ndryshim pagash kërkohet ndryshim për tre specialistë të sekretarisë gjyqësore nga niveli IV-a në nivelin III-b dhe tre specialistë të profileve të ndryshme nga niveli IV-b në nivelin III-b.

Efekti financiar i këtij ndryshimi është 1,6 milionë lekë (përkatësisht 1,3 milionë lekë paga dhe 0,3 milionë lekë sigurime shoqërore). Ky efekt mund të përballohet me fondin e lirë të krijuar për shkak të mosplotësimit që në fillim të vitit, të strukturës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

VENDET E PUNËS QË KËRKOHEN
8 këshilltarë ekonomistë
2 përkthyes
2 specialistë shtesë protokoll/arkivë
2 specialistë të sekretarisë gjyqësore
1 specialist prokurimesh
1 punonjes pastrimi

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb