TIRANË

Një tjetër gjyqtar ka dalë sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ku do t’i nënshtrohet hetimit për 3 objektet e vlerësimit.

Bëhet fjalë për kryetarin e Gjykatës Administrative Tiranë, Eriol Roshin. Trupa gjykuese përbëhet nga Genta Bungo, Lulzim Hamitaj, Valbona Sanxhaktari.

Sipas KPK, subjekti zotëron një apartament me sipërfaqe 110m², të marrë me një kredi bankare. Apartamenti është shitur në shumën 55.500 euro.

Gjithashtu gjykatësi Roshi ka makinë të blerë në 2014 6 mijë €. Në sajë të deklaratës së pasurisë, Roshi nuk ka kryer deklarim të rremë. Po kështu sipas DSIK, është i përshtatshëm për vijimin e detyrës.

Seanca e radhës për vendimin për Eriol Roshin do të jetë më 7 shkurt
Ndërkaq përfaqësuesi i ONM ka pyetur Roshin për apartamentet, se si është bërë transaksioni për blerjen e banesave.
“Jo përmes bankës, kanë qenë në shtëpi. Ka qenë dëshirë e prindërve të më përfshinin në apartamentin e parë, por që unë nuk kam paguar”, ka thënë ai.

Eriol Roshi ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe punoi fillimisht në Gjykatën e Durrësit. Në tetor të vitit 2006 ai u emërua gjyqtar në Gjykatën e shkallës së parë në Berat, ndërsa në vitin 2013 u emërua gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Tiranës. Aktualisht Roshi mban pozicionin e kryetarit të gjykatës.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Roshi zotëronte pasuri familjare me vlerë 6 milionë lekë në vitin 2005. Referuar deklaratës së bërë prej tij para fillimit të detyrës, Roshi zotëronte 1/3 e një apartamenti të blerë së bashku me prindërit në Tiranë.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e kryetarit të Gjykatës Administrative të Tiranës kap vlerën e 10.9 milionë lekëve. Pjesën kryesore e përbën pasuria e paluajtshme me vlerë 7.9 milionë lekë. Ai deklaron gjithashtu kursime të akumuluara në cash prej 1.6 milionë lekësh si dhe automjete me vlerë 1.4 milionë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 16 milionë lekë. Mbi 75% e të ardhurave burojnë nga paga si gjyqtar, ndërkohë që 18.4% zënë të ardhurat e familjarëve. Ndërkohë, 5.2% e të ardhurave totale kanë si burim fitimin nga shit-blerjet e pasurive.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb