Pas një monitorimi mbi procesin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ligjërimin politik e publik mbi reformën në drejtësi, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) dhe Instituti i Studimeve Politike (ISP) kanë publikuar konkluzione të këtij raporti.

KSHH vëren se pas më shumë se dy vitesh ende nuk janë jetësuar institucionet kryesore të sistemit të ri, KLGJ, KLP, KED, IP etj, ndërkohë që vendi nuk ka një Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë funksionale dhe vijon të ketë një Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm, dhe se kuadri ligjor i drejtësisë ende nuk po zbatohet.

“Bilanci i deritanishëm i vettingut është pozitiv, por ende i pamjaftueshëm për të prekur rezultatet e reformës dhe reflektimin në sistemin e ri. Situata e krijuar kërkon një ritëm më dinamik dhe të shpejtë për të rivlerësuar kandidatët e organeve të reja të sistemit të drejtësisë dhe për të arritur në jetësimin e tyre.”-thuhet në raport.

KSHH vlerëson se sistemi i drejtësisë po punon në mënyrë të sforcuar deri në rikthimin e tij në identitetin që kjo reformë synon në interes të qytetarëve, për përmbushjen e standardeve ndërkombëtare për një sistem drejtësie të pavarur, efiçient, profesional, llogaridhënës dhe të përgjegjshëm.

Lidhur me vendimet e vettingut të publikura deri më tani, KSHH konstaton se ato kanë qenë të arsyetuara dhe tepër voluminoze. “Megjithatë, standarti që trupat gjykuese kanë ndjekur në drejtim të strukturimit dhe arsyetimit të vendimit kanë nevojë të unifikohet, në drejtim të logjikës së arsyetimit, analizës ligjore, shpalosjes konçize dhe të qartë të fakteve, provave dhe argumentave të subjektit të rivlerësimit dhe të komisionit.”theksohet në raport.

Raporti kritikon edhe qëndrimin e partive politike sa i takon reformës në drejtësi, për të cilët thekson se kanë ndjekur kurbë të njëtrajtshme të trajtimit të reformës në drejtësi, – mazhoranca në mbështetje dhe opozita me kritika / kontestime, – duke mos e parë reformën në drejtësi si një proces të jashtëzakonshëm institucional, por si një shtojcë të procesit politik në vend.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb