TIRANE – Në emisionin e sotëm “Studio e Hapur” në News24 po diskutohet për rezultatet e Vettingut. Të ftuar në studio janë Fatos Lubonja, Çlirim Gjata, Klodiana Lala dhe Erl Murati.

Analisti Lubonja akuzoi kryeministrin Edi Rama se ashtu siç kapi të gjitha pushtetet po tenton ta bëjë të njëjtën gjë me drejtësinë.

Sipas tij, nuk dihet se kush do i drejtojnë Gjykatat tani, dhe se më mirë do të ishte një Drejtësi e korruptuar se sa e kapur nga qeveria.

Nga ana tjetër juristi Çlirim Gjata tha se ngelja e vendit pa Gjykata, shkon në favor të qeverisë sepse në këtë mënyrë mund të bëjnë çfarë të duan dhe nuk i kontrollon njeri, shkruan BalkanWeb

Lubonja: “Ky rezultat që quhet për mua dështim i Reformës në Drejtësi, pritej. Sic bëri Rama për të kapur pushtetet, edhe kjo ishte tentativë kapje dhe jo reformë e vërtetë. Por kujtoj kritikën e Komisionit të Venecias që thotë që një reformë kaq radikale ka shumë rreziqe dhe sjell destabilizim të gjyqësorit, dhe thotë edhe kapjen e sistemit të drejtësisë nga mazhoranca. Të gjitha po vërtetohen. Destabilizim i sistemit të drejtësisë.

Por njerëzit thonë se po hiqen disa njerëz të korruptuar. Në këtë aspekt që ndoshta dhe gënjehen një pjesë njerëzish, gjykoj se duhet parë përtej, se mirë që u hoqën këta, por çfarë po na vjen? Po na vjen një drejtësi më pak e dëmshme? Një drejtësi e kapur nga mazhoranca është goxha më e dëmshme. Shikoni Arta Markun, që s’ka lënë ligj pa shkelur, si me Kukësin, Xhafajn apo Teatrin. Këtu bërtasin rastet flagrante të korrupsionit”.

Çlirim Gjata:  Ndodhi ndryshimi i gjithë atij sistemi në vitin ’92, por nuk ngelëm pa gjykata, qytetarët kishin ku të shkonin. Asnjë qytet nuk ngeli pa gjykatë. Ndodhi kushtetuta e ’98, u bë nga fillimi e prapë nuk ngelëm pa gjyakta.

Kjo reformë u bë e tillë që të mbeteshim pa gjykatat kryesore, atë Kushtetuese dhe të Lartë. Kjo shkon në favor të qeverisë, ajo mund të bëjë çfarë të dojë dhe s’ka kush e kontrollon. Askush nuk thotë asgjë. Askush nuk i thotë qeverisë asgjë, se s’ka kush e kontrollon. Kur shejtani shef djepin bosh, ku ta gjejë të veprojë. Ky sistem drejtësie, e ky Vetting është eksperiment që ndodh për herë të parë në historinë e njerëzimit në Shqipëri, asnjë vend nuk e ka kështu. Tha Hahn kalojeni me një ligj kalimtar, po si mund ta kalosh kështu.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb