Këtë të mërkurë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit KPK ka shpallur pesë vendime për prokurorë dhe gjyqtarë lidhur me procesin e vettingut. Vendimi i parë u dha për prokuroren e Tiranës, Ornela Rrumbullaku, e cila u shkarkua nga detyra. Rrumbullaku u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës si dhe nuk u evidentuan probleme domethënëse në kriterin profesional, por pati probleme në kriterin e pasurisë. Rrumbullaku dha shpjegime për bilancet negative në vlera të mëdha të konstatuara në burimin e krijimit të aksioneve të bashkëshortit në disa shoqëri private.

KPK shkarkoi nga detyra edhe prokurorin e Korçës Dashnor Nure pas vettingut në të tri kriteret. Nures iu gjetën pamundësi financiare në disa vite.

Ndërsa, prokurorja e Durrësit, Oltiana Gjoni Çifliku u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duke mos shfaqur probleme në asnjë nga kriteret e vettingut. Prej vitit 2015, ajo e ushtron funksionin e prokurores pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Komisioni vendosi të largojë nga detyra gjyqtarin e Shkodrës, Tonin Stërkaj, pas kalimit të barrave të provës për pasurinë dhe profesionalizmin. Tonin Sterkaj punoi prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës.

Në vetting kaloi edhe prokurori Xhevahir Lita. Komisioni e përfundoi vetingun e prokurorit Xhevahir Lita vetëm për kriterin e figurës dhe e shkarkoi atë pasi bazuar në hetimet e SPAK, nga ku rezulton të jetë pjesë e krimit të organizuar. Prokurori Xhevahir Lita, u arrestua për korrupsion dhe krim të organizuar gjatë operacionit të koduar “Metamorfoza” në korrik 2023 dhe pak ditë më vonë u pezullua nga detyra me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP. Trupa e KPK vendosi në mënyrë unanime ta largojë nga detyra prokurorin Xhevahir Lita.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb