TIRANE

Kryeprokurori i Kavajës, Artan Madani u përball këtë të enjte me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, në kuadër të procesit të vettingut. Hetimi për subjektin kishte përfunduar në të trija kriteret. Komisioni tha se prokurori i karrierës ka burime të mjaftueshme financiare për të justifikuar pasurinë, nuk është në situatë konflikti interesi, por janë konstatuar disa pasaktësi, që lidhen me vlerën e apartementit që ai ka në pronësi.

Në fjalën e tij, prokurori Madani theksoi se ndryshe nga banorët e tjerë të pallatit ku banon, ai është i vetmi, që ka deklaruar cmimin e saktë të blerjes së banesës. Sa iu përket likuiditeteve në bankë, Komisioni u shpreh se subjekti i justifikon ato plotësisht.


Lidhur me fuigurën morale, Komisioni rrëzoi gjetjet e Drejtorisë së Sigurimit të informacionit të Klasifikuar, I cili në raportin e pare konstatonte përshtatshmërinë e prokurorit për të vijuar detyrën. Pasi vetë Madani kishte deklaruar se kishte një vëlla të dënuar në Itali, DSIK, kishte ndryshuar tërësisht qëndrim, duke e cilësuar atë të papërshtatshëm.


Komisioni vërejti se qëndrimi i institucionit në fjalë, është i pabazuar dhe i nxituar, pasi nga hetimet e kryera kryesisht nga trupa, rezulton se prokurori Madani e ka plotësuar saktë formularin dhe për të nuk është gjetur asnjë lidhje me personazhe të krimit të organizuar. Gjithashtu, u theksua fakti se nuk ka asnjë dyshim, që ai mund të vihet nën presion apo shantaz nga persona në konflikt me ligjin
Në shtyllën e aftësive profesionale, Madani u vlerësua me nota pozitive.


Prokurori e falenderoj komisionin për hetimin dhe gjetjet, por bëri disa saktësime duke bashkangjitur edhe prova shtesë. Vendimi për Artan Madanin pritet të shpallet me 1 korrik. Më herët, Komisioni shpalli verdiktin për drejtuesen e prokurorisë së Kukësit, Alketa Nushi, të cilën e shkarkoi nga detyra, pas problemeve të konstatuara në të trija shtyllat e vttingut.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb