TIRANE

Vettingu e ngriti siparin edhe për 2019. I pari që doli në seancë dëgjimore publike, me 4 janar ishte Alltun Cela, kryetar i gjykatës së Sarandës. Në raportin e tij, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit relatoi se Cela kishte probleme në të trija kriteret e rivlerësimit; pasuri, figurë morale dhe aftësi profesionale, ç’ka vë në pikëpyetje vazhdimin e detyrës nga ana e gjykatësit.

Ndërkohë, javën e ardhshme, në seancë dëgjimore për t’u njohur me rezultatet e hetimit administrativ, pritet të dalin, Arben Zefi, kryetar i Gjykatës së Shkodrës, Alfred Gjoni, kryetar i gjykatës së Kurbinit dhe Gentian Jahjolli, këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë.

Përgjatë janarit të tjerë gjykatës e prokurorë, do të mësojnë për fatin e tyre, nëse do ta vijojnë ose jo rrugëtimin në sistemin e drejtësisë.

Në 2018, vit gjatë së cilit nisi procesi i rivlerësimit kalimtar, 42 gjykatës e prokurorë u konfirmuan në detyrë, ndërsa 35 të tjerë u shkarkuan, pasi jo vetëm nuk justifikuan pasurinë, por kishin lidhje edhe me eksponentë të krimit të organizuar.

Po ndërsa, vettingu ka hyrë tashmë në rrjedhën e tij normale, sytë e të gjithë janë kthyer nga dy institucionet kyçe të sistemit të drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë.

Për faktin se këto institucione, kanë nisur funksionimin normal, me interes të lartë pritet zgjedhja e prokurorit të ri të përgjithshëm dhe emërimi i anëtarëve të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gara për kryeprokur me mandat kushtetues nuk u çel gjatë dhjetorit, nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për shkak se institucioni nuk kishte një website zyrtar. Por përsa kohë kjo pengesë është tejkaluar, brenda janarit Këshilli pritet të shpallë thirrjen, por më përpara duhet miratuar rregullorja.

Ndërkohë në mbledhjen e 7 janarit, këshilli pritet të shpallë vendet vakante për prokurorinë e posaçme. Burimet nga këshilli thanë për news 24 se mund të  kandidojnë të gjithë prokurorët që kanë mbi 10 vite eksperiencë dhe nuk kanë patur masë disiplinore në fuqi. Përjashtohen nga kandidimi anëtarët e këshillit.

Sa i përket anëtarëve të Gjykatës së Posaçme, Këshilli i Lartë Gjyqësor e ka hapur garën fund dhjetorin e 2018. Gjyqtarët e gjykatës për Krime të rënda sipas ligjit mund të jenë përkohësisht anëtarë të Gjykatës së Posaçme, por më parë duhet të japin pëlqimin ata vetë dhe familjarët e tyre, për kontrollin periodik të llogarive bankare si dhe të telekomunikimeve vetjake. E njëjta gjë vlen edhe për kandidatët për prokurorinë e posaçme.

Megjithatë, secili nga këto kandidatë, duhet domosdoshmërisht të kalojnë edhe procesin e Vettingut.

 BalkanWeb

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb