Një fitore e pastër 3-0 të krijon përshtypjen se gjithçka shkoi në mënyrë perfekte në transfertën kundër Andorrës. Në kushtet ku ndodhej Shqipëria, pas shkarkimit të Panuccit dhe pas katër humbjeve radhazi, fitorja ishte e vetmja rrugë për të mbajtur të gjallë ëndrrën “Euro 2020”, ishte i vetmi opsion për të ndezur edhe një herë ambientin kuqezi. Një fitore e pastër 3-0 largon hijet e së shkuarës dhe i jep më shumë kohë FSHF-ës për të gjetur një trajner të përshtatshëm, në kushte të tjera vështirë që një trajner “elitar” do të pranonte të merrte drejtimin e Kombëtares. Rezultati është i kënaqshëm, aq sa mund të “fsheh” edhe faktin se të përballë një ekipi modest si Andorra bëmë shumë pak, gjithnjë nëse vijojmë me idenë se tashmë kemi kaluar në një tjetër standard.

Në dy momente përcaktuese, në golin e parë të Sadikut, kur duhej me çdo kusht të kalonim në avantazh, për të dhënë më shumë qetësi ekipit, dhe në golin e dytë të Balaj në minutën e 86-të, ku çdo gabim në ato momente të ishte fatal, Shqipëria mori dy “dhurata” jetike nga Andorra. Futbolli ky është, dikush duhet të gabojë, por përveç dëshirës së madhe për të fituar këtë takim, ekipi ishte konfuz në fushën e lojës. Përballë modestëve nga Andorra, sigurisht që do të kishim kontrollin e lojës, Shqipëria zotëroi 68% të lojës, por goditi vetëm 4 herë kuadratin, nga këto 3 përfunduan në rrjetë. Pas këtij trepikëshi të gjithë mund të marrin frymë, Shqipëria rikthehet në “Euro 2020” më 8 qershor në transfertën kundër Islandës, deri atëherë të gjithë kanë më shumë kohë për të riformatuar edhe një herë idetë, mbi të gjitha FSHF dhe Armand Duka.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb