FIER- Një punonjës i Uzinës së Përpunimit të Naftës në Fier ka tentuar të hidhet nga oxhaku për shkak të mosmarrjes së pagës prej 4 muajsh. Punonjësi që hipi mbi oxhakun e lartë rreh 40-50 metra, Agim Myrdini, 62 vjeç dhe sipas kolegëve ka 30 vjet që punon në UPN. Pas 2 orësh mbi oxhak, me lutjet e familjes dhe negociimin e përfaqësuesit të rafinerisë Avni Braçe ai ka zbritur nga dhe është dërguar me ambulancë në spital. Braçe i ka premtuar kalimin e pagave të prapambetura.

Myrdini mbante edhe një shishe benzinë, ndërsa qëndronte mbi oxhak duke kërcënuar se do t’i vinte flakën vetes.

Në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe një furgon policie.

[fbvideo link=”https://www.facebook.com/xhemil.beharaj/videos/10209948142997530/” width=”500″ height=”400″ onlyvideo=”1″]

[fbvideo link=”https://www.facebook.com/xhemil.beharaj/videos/10209948205879102/” width=”500″ height=”400″ onlyvideo=”1″]

Në videon e publikuar, punonjësi duket teksa bërtet “jo”, “jo”, ndërsa kolegët e tij thonë se “ai është më i përvëluari” mes tyre.

“Ai ka tërë jetën që vuan, gruaja e parë i vdiq, gruaja e dytë i vdiq, djali i vdiq. Ai është copë-copë. Ai është më keq nga neve, ne jemi prapa tij”, thotë një koleg i tij.

“Kemi që në tetor që s’kemi marrë rroga. Mirë tani në janar që s’ka rroga se ka ikur ai pronari. Por muajt e tjerë janë përpunuar mijëra ton karburante e janë shitur”, deklarojnë në zë punëtorët.

“Na iku jeta luftë, 50 vjet me Enverin. Ça demokracie, nuk ka as shtet, asgjë. Të japë një sqarim. ne jemi familjarë. Kemi kalamajtë për bukë. Jo ky i PD-së, ky i PS-së, boll luftë, duam të ushqejmë fëmijët”, thonë disa të tjerë.

Problemi i këtyre punëtorëve ka qenë i vazhdueshëm. Kanë pasur edhe më parë probleme me pagat, por pas protestave kanë marrë një pjesë të pagave. Janë rreth 150 punëtorë të kësaj rafinerie që nuk janë paguar prej 4 muajsh. Gazetari Alfred Gurraj tha për BalkanWeb se punëtorët kanë mbi 18 muaj që nuk iu paguhen as sigurimet shoqërore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb