Nensi Dilo është studente e vitit të tretë në degën Mjekësi e Përgjithshme. Ajo rrëfen për mikrofonin e “Trending” të gjitha vështirësitë që hasen në jetën universitare në degën ku studion, ndërsa ka edhe një përgjigje të qartë për një nga realitetet më të shpeshta të studentëve të mjekësisë në Shqipëri.

Nensi na tregon se përse ajo dhe miqtë e saj zgjedhin Gjermaninë apo vende të tjera europiane për të studiuar e punuar. “Nuk janë legjenda urbane”, i përgjigjet ajo pyetjes së Melisës për kurset e gjermanishtes së studentëve të mjekësisë, ndërsa rrëfen se nga 200 studentë, shumica e tyre ose kanë nisur një të gjuhës gjermane ose kanë ndërmend ta bëjnë.

“Pjesa më e madhe e 200 studentëve që vijojnë tani Mjekësinë e Përgjithshme janë në kurse ose do të futen shumë shpejt në kurs gjermanishteje”, rrëfen Nensi.

Dy nga problematikat më të mëdha që hasin studentët shqiptarë gjatë studimeve në mjekësi janë praktika dhe literatura.

“Praktika është pak e vështirë. Është sistemi pak i keq, një pedagog ka 20 studentë, nuk mund të futen 20 studentë në një dhomë. Pjesa praktikë është e vaktët. Një nga problemet më të mëdha janë librat. Janë përkthime të shëmtuara të librave. Kemi disa libra të pedagogëve të ndryshëm. Secili poedagog ka librin e tij”, tregon Nensi.

Ajo thotë se librat e mjekësisë janë shumë të kushtueshëm, ndërsa e bindur deklaron se studentët e kësaj dege e kanë të pamundur të punojnë paralelisht me shkollën pasi mësimi fillon në 8 të mëngjesit e përfundon në 4 apo 5 të mbasdites. Por a është mjek një student shqiptar kur del nga universiteti? Nensi ka këtë përgjigjie.

“Mjeku gjithë jetën është student, atëherë kur quhet mjek, mjeku brenda tij vdes. Pas 6 viteve jemi teoricienë shumë të mirë, por mjekë praktikues jo”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb