Pas apelit në News24, mbërrijnë ndihmat e para në familjen e 80-vjeçares Prenda Ndou e cila ditët e pleqërisë i kalon ashtu siç mundet, duke u kujdesur për djemtë e saj me probleme të shëndetit mendor.
Ka qenë biznesmeni Filip Gjoka i cili me t’u njohur me rastin ka udhëtuar drejt zonës së thellë malore ku dërgoi lavatriçen që ishte një ëndërr për të moshuarën, veshmbatje, ushqime etj.,
“Pashë kronikën televizive që zoti Armir e transmetoi në News24 dhe vendosa të vij t’ju takoj dhe të bëjmë çfarë është e mundur që sado pak t’ua lehtësojmë këtë vuajtje që ju ka rënë për hise. Pashë që kishit nevojë për lavatriçe dhe për disa gjëra të cilat ne ua kemi sjellë. Kam sjellë edhe një ndihmë monetare që t’i kesh për nevojat e tua”, tha biznesmeni Filip Gjoka.
Kontributit i janë bashkuar edhe disa qytetarë në mesin e të cilëve doktoreshë Silvana Sadrija, këngëtari Perlat Sheqeri, Kastriot Ndoci, Pavlin Vila, Artion Sejdiu, Eduart Hoxha etj, të cilët kanë dhuruar për të moshuarën.
Edhe pse në gjendje jo të mirë shëndetësore kur ne u rikthyem në fshatin Poravë ku jeton e moshuara, ajo ka marrë edhe lajmin e shumëpritur nga artisti shqiptar me banim në SHBA, Fran Gjoka i cili ka premtuar një banesë të re për familjen Ndou.
“Dashtë i madhi zot ju do të keni ditë të lumtura. Ne kemi menduar t’ju ndihmojmë për banesën. Do të bëjmë diçka”, i premtoi artisti të moshuarës. “Zoti të ruajttë”, është bekimi që i jep e moshuara Fran Gjokës.
Ndihmat e mbërritura atje janë lehtësi edhe për pushtetin vendor që deri tani është kujdesur për nënën e moshuar.
Pak ditë më parë, News24 transmetoi rastin e kësaj nëne e cila edhe pse në moshë të thyer duhet të kujdeset për tre djemtë e saj të sëmurë me probleme të shëndetit mendor. Ndërkohë që vijojnë të priten ndihma dhe kontribute në adresë të saj.
(BalkanWeb)