TIRANE- Kreu i opozitës Lulzim Basha, është sulmuar në mënyrë indirekte si një politikan që ka mbështetjen e George Soros dhe se për këtë arsye nuk ka bërë opozitë të fortë ndaj Edi Ramës. Deri me sot, Basha nuk ishte pyetur ballë për ballë për këtë gjë. Por në një interviste për gazetarin Çim Peka, Basha i jep fund kësaj dileme.


Peka: A është Lulzim Basha i pavarur dhe i pa kapur nga Xhorxh Soros?
Basha: Sigurisht që po Çim Peka, aq sa je edhe ti me sa të njoh të paktën.
Peka: Sigurisht!
Basha: Ai ka qenë një takim i kërkuar nga stafi i Sorosit në kuadër të një vizite që ka bërë në Shqipëri..


Në 6 dhjetor 2014, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në zyrën e tij miliarderin George Soros. Sipas njoftimit për shtyp të aso kohe të selisë blu, gjatë takimit ata diskutuan mbi situatën aktuale dhe sfidat e Shqipërisë. Kreu i PD-së i tha Soros-it se “Shqipëria ka bërë një përparim domethënës në këto 23 vite, por standardet e arritura po kërcënohen nga kursi antidemokratik i dyshes Rama-Meta, e cila është në kërkim të pushtetit absolut”, – u shpreh Basha.


Burimet zyrtare të PD-së, thanë aso kohe për “BalkanWeb” se Basha e njohu Sorosin me ngushtimin e hapësirave institucionale për opozitën, me goditjen fizike dhe kërcënimin e përfaqësuesve të saj në sallën e Kuvendit nga një kontingjent sipas tij i lidhur “me krimin që Edi Rama i ka futur enkas në parlament për këtë qëllim”.

“Standardeve të demokracisë liberale në vend po i kanoset një rrezik i madh nga presioni i përditshëm i qeverisë ndaj medias, shoqërisë civile, dhe institucioneve të pavarura. Mazhoranca po e zëvendëson reformën në këtë sistem, me kapje të drejtësisë duke bërë shkarkime të paligjshme, duke emëruar militantë, dhe duke i bërë presion të hapur gjyqtarëve”,- ishin disa nga ankesat që Basha i ka paraqitur miliarderit dhe filantropit amerikan, George Soros.
Mjaftoi ky takim që lideri i opozitës shqiptare prej dhjetorit 2014 të akuzohej si një figurë e ndikuar dhe e sponsorizuar në politikë nga Soros-i, pretendime të cilat ai i ka hedhur tashmë poshtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb