Në një video të publikuar në rrjetet sociale, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, së bashku me kandidaten për deputete në Tiranë, Barbara Doda, zbuluan prapaskenat e krijimit të këngës së fushatës së tyre elektorale.
“Teksti? ChatGPT. Kompozoi? ChatGPT. Dhe këndoi? ChatGPT”, thotë Shehaj me humor, duke treguar se kënga e fushatës është krijuar tërësisht përmes inteligjencës artificiale – me një kosto simbolike prej vetëm 10 dollarësh.
Duke ironizuar partitë e vjetra, Shehaj theksoi se edhe në një detaj si kënga, Partia Mundësia bën diferencën:
“Të tjerët vazhdojnë si në ’90-n: shkojnë e marrin vipat, iu japin para, iu premtojnë ndere… Ne jemi totalisht ndryshe.”
Ai shtoi se kjo zgjedhje tregon përkushtimin e Partisë Mundësia për të vepruar me transparencë, efikasitet dhe ide të reja, në kontrast me mënyrën e vjetër të të bërit politikë.
Shehaj dhe Doda gjithashtu shpallën fituesit e sfidës për të gjetur këngën misterioze, të cilët do të ftohen për një drekë me ta.
Në fund, ata kërkuan ndihmën e qytetarëve për t’i vendosur një emër zyrtar këngës së fushatës.
“Dëgjojeni dhe na sugjeroni një emër. Dhe mos harroni… 10-tën!” – mbyllin me buzëqeshje.
Kënga e plotë do të publikohet së shpejti në rrjetet sociale.