Dhjetëra pasagjerë do të kalojnë natën në aeroportin e Milanos mbrëmjen e sotme, pasi kompania ajrore shqiptare, “Air Albania” në pronësi të qeverisë shqiptare dhe aksioner kryesor biznesmenin Sinan Idrizi, i braktisi ata duke anuluar fluturimin. Prej orës 14.00 pasagjerët kanë mbërritur në terminal për të kryer procedurat e embarkimit. Siç dëshmuan ata për BalkanWeb dhe News24, sistemi check-in nuk është hapur edhe pse fluturimi ishte parashikuar për në orën 16.50. Nga punonjësit e aeroportit u është thënë se në pistën e Malpensas nuk ka asnjë avion të “Air Albania”.

Rreth 2 orë më pas në (19.00), pasagjerët e linjës Milano-Tiranë janë njoftuar nga stafi i aeroportit se një avion i linjës së “Turkish Airlines” me avionët e cilit operon “Air Albania” do të ngrihej nga pista e Malpensës në orën 20.30. Pasagjerët kanë kaluar procedurat e kontrollit dhe janë ngjitur në avion. Por këtu do të niste tortura edhe njëherë nga e para për ta.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për 2 orë me radhë ata janë lënë në pritje brenda në bordin e avionit, duke nxitur edhe protestën e tyre, ndërsa ekuipazhi i ka njoftuar se nuk kanë leje nga kulla e kontrollit për nisur fluturimin. Pasagjerët denoncojnë edhe sjelljen çnjerëzore ndaj tyre, pasi ata janë detyruar të zbresin me forcë nga avioni nga policia italiane.

Pasagjerët ankohen se në mesin e tyre ka foshnja, të moshuar, por edhe persona të sëmurë.

Kompania ajrore “Air Albania” refuzon të japë zgjidhje për këtë situatë shqetësuese.

BalkanWeb ka siguruar me video momentin kur pasagjerët telefonojnë “Air Albania”-n por punonjësja nga përtej telefonit thotë se nuk ka dijeni se çfarë ka ndodhur dhe se nuk mban as përgjegjësi. Më pas ajo i mbyll telefonin pasagjerëve edhe pse thirrja e tyre ishte për ndihmë.

Dhjetëra pasagjerët do të kalojnë natën e sotme në stolat e aeroportit. Kompania ajrore jo vetëm anuloi fluturimin por edhe refuzon të akomodojë pasagjerët në hotele pranë aeroportit.

Kompania “Air Albania” është në pronësi shtetërore dhe aksioner kryesor i saj është biznesmeni Sinan Idrizi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb