Ajax Amsterdam do ta ketë të vështirë të përsërisë mrekullinë e edicionit të shkuar në Champions, ku arriti deri në gjysmëfinale. Largimi i yjeve të skuadrës si De Jong dhe De Ligt kanë zbehur ndjeshëm forcën e holandezëve dhe konfirmimi për këtë erdhi në sfidën e vajtjes në play-off e Ligës së Kampioneve kundër APOEL Nicosia. “Harkëtarët” vuajtën shumë për të dalë me një barazim pa gola nga transferta qipriote.

Vendasit rrezikuan jo pak portën e Ajax, që në minutën e 58-të kishte edhe ndihmën e shtyllës për të shpëtuar nga pësimi i golit. Sfida u vështirësua më shumë për kampionët holandezë, që luajtën dhjetë minutat e fundit me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Mazraui. Gjithsesi, Ajax arriti të ruante rrjetën e paprekur, teksa barazimi pa gola e favorizon për ndeshjen e kthimit që do të luajë në shtëpinë e tij.

Një hap drejt kualifikimit në fazën e grupeve të Champions kanë hedhur Slavia Prague dhe Club Brugge, që fituan në transfertë sfidat e vajtjes në raundin e play-off. Skuadra Skuadra çeke kaloi 1-0 rumunët e CFR Cluj. Masopust me golin e tij në minutën e 28-të i dhuroi suksesin Slavia Prague, ndërsa vendasit u larguan nga fusha me një peng të madh pas 11-metërshit që gaboi Omrani në minutën e 79-të.

I favorizuar pret ndeshjen e kthimit edhe Club Brugge, që mundi 1-0 Lask Linz. Goli i vetëm dhe I triumfit për formacionin belg u shënua nga Vanaken me penalltinë e shpejtë që në minutën e 10-të të takimit.
(balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb