Faqet pro-ruse e paraqesin atë si një armë të re të projektuar nga inxhinierët e Moskës; nga ana tjetër ukrainasit pretendojnë se është shpikje e tyre. Por imazhet e dronit flakëhedhës janë ende mbresëlënëse: pajisja hedh një substancë ndezëse me saktësi, pastaj vetëshkatërrohet.

Qëllimi është i qartë: të eliminohen pozicionet e kamufluara në rreshtat e pemëve që karakterizojnë fshatrat e Ukrainës jugore. Ky është skenari kyç i të gjitha luftimeve të dy viteve të fundit: kontrolli i atyre vijave vendos përleshjet.

Sipas disa burimeve, droni përdor termitin: një përzierje që digjet për një kohë të gjatë në tokë dhe depërton në strehimore, e përdorur tashmë në kokat e raketave ruse me efekte shkatërruese, gjatë sulmeve vrasëse në Ukrainë.

Burime të tjera megjithatë besojnë se është një substancë e ngjashme me napalmin. Një tjetër tmerr që materializohet në frontet e luftës.

Shumë ekspertë ushtarakë bien dakord se dronët e kanë ndryshuar luftën tradicionale, duke sjellë sfida të reja në fushëbetejë. Ukraina ka qenë padyshim ndër vendet e para që ka nisur të përshtasë dronët për një sërë veprimesh të reja, si për survejim, mbrojtje apo edhe sulm.

Dronët e vegjël të quajtur “FPV”, janë përdorur si armë me telekomandë, pasi u montohet bombë, për survejim por edhe për rrëzimin e dronëve të ushtrisë ruse.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb