Pas arrestimit të Ilir Selmanit, person i shpallur në kërkim për vrasjen e ish-policit Santiago Malko. vjen një deklaratë zyrtare nga policia. Selmani u kap sot në zonën e “Xhamllikut’. Burime zyrtare nga policia bene me dije se ne kuader te operacionit te koduar “Gjurmimi”, u be e mundur kapja e Selmanit, një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal.
NJOFTIMI I POLICISE
Operacioni, nga Komisariati i Policisë Nr. 2 dhe Sektori për Krimet e Rënda në Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Finalizimi i operacionit, pas një pune disajavore, me metoda speciale të hetimit.
Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit S. M., ndodhur në gusht të vitit 2019.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve ndaj personit, gjatë mesditës së sotme kanë finalizuar operacionin të koduar “Gjurmimi”, në kuadër të të cilit, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe Sektori për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në rrugën “Endri Keko”, u bë e mundur kapja dhe prangosja e shtetasit Ilir Selmani, 35 vjeç, banues në Tiranë.
Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Shtetasit Ilir Selmani, në momentin e kapjes nga Policia, i është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri tip pistoletë dhe municion luftarak.
Ky shtetas është një nga personat e dyshuar të ngjarjes së ndodhur me datë 27.08.2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, ku ka mbetur i vrarë me armë zjarri shtetasi S. M.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe aktivitetit kriminal të shtetasit Ilir Selmani.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Momenti i arrestimit
(ed.me/BalkanWeb)