TIRANE – Gazetari investigativ i “News24”, Artan Hoxha u shoqërua mbrëmë vonë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas deklaratave të tij se piloti italian Guido Andrea Guidi ka pranuar se e kishte ulur avionin në Ishëm, për të testuar pistën, me qëllim që të kthehej më vonë për të trafikuar 200 kg hashash. Kjo u cilësua si nxjerrje e sekretit hetimor nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, që vendosi ta marrë në pyetje në mesnatë Artan Hoxhën, duke e lënë të lirë pas rreth 2 orë e gjysmë.

Në një komunikim telefonik me gazetarin Bledian Koka në “News24”, pasi doli nga prokuroria, Artan Hoxha tha se nuk i bën aspak përshtypje shoqërimi në polici, pasi është përballur edhe herë të tjera me të tilla situata. Megjithatë Hoxha kujtoi se edhe pas ngjarjeve të 21 janarit, prokurorët pritën të gdhihej dita tjetër për ta marrë në pyetje. Ndërkohë mbrëmjen e djeshme, gazetari u kërkoi me mirësjellje oficerëve të policisë, nëse shoqërimi mund të bëhej të nesërmen, por ata iu përgjigjën se “nuk pret puna, është thjesht një procedurë 5 minutëshe”.

“Me sa kujtoj, edhe në rastin e 21 janarit, në atë rast oficerët e policisë gjyqësore janë treguar pak më tolerantë, duke patur parasysh që ishte një ditë e lodhshme. Pasi kanë marrë një deklarim pranë televizionit, veprimet e tjera i kanë bërë të nesërmen. Kujtoj që në vitin 2000 kam patur të paktën 5 procese në prokurorinë e Tiranës. Kjo është një procedurë që jam mësuar tashmë dhe nuk më bën përshtypje.”- deklaroi Hoxha.

INTERVISTA ME GAZETARIN BLEDIAN KOKA
Bledian Koka: Tani, si është situata jote, çfarë ka ndodhur konkretisht, je shoqëruar, je arrestuar, çfarë është kërkuar prej teje?
Artan Hoxha: Në fakt Bledi unë nuk di asnjë lloj informacioni që është publikuar në media nga momenti që kam dalë në dalë nga emisioni “Opinion” në TvKlan, pra nuk e di farë se çfarë është raportuar, sepse nuk kam patur mundësi të komunikoj, nuk kam patur asnjë mjet informimi. Janë paraqitur tre oficerë të policisë gjyqësore të cilët më kanë kërkuar që të shkoj me ta në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në lidhje me një çështje që ata pretendonin që unë e kisha publikuar në “News24” pasdite dhe në emisionin “Opinion”. Eshtë një çështje që unë e kam publikuar gjatë gjithë ditës në ‘News24’, dhe për këtë shkak unë duhet të paraqitesha në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Pastaj më tej kanë vazhduar procedurat normale. Siç e përmenda ka një urdhër sekuestro mbi mjetet e mia të punës, ti e di sa të rëndësishme janë për gazetarët. Por kjo pak rëndësi ka, tashmë hetimi do vazhdojë edhe në ditët në vazhdim. I gjithë problemi ka qenë ky, informacioni dhe burimet e informacionit. Unë jam tashmë, dashur pa dashur kam 20 vjet në këtë profesion dhe për të informuar publikun jam gati të jap çdo gjë, për të mos dekonspiruar burimet e mia. Ndryshe asnjë qytetar i cili më informon mua nuk do kishte më besim tek unë.

Bledian Koka: Askush nuk e vë në diskutim profesionalizmin tënd. Në vlerësimin tënd, ky shoqërim që është bërë është një veprim i ligjshëm apo i paligjshëm. Cili është qëndrimi yt në këtë pikë?
Artan Hoxha:Nuk mund të mbaj asnjë qëndrim dhe nuk dua të deklarohem në lidhje me këtë çështje. Shiko, unë nuk jam jurist dhe nuk kam konsultuar sot, sepse dita ishte shumë intensive, dhe nuk jam në gjendje të riprodhoj tani Kodin Penal, apo Kodin e Procedurës në lidhje me kushtet e paraqitjes time në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Gjithsesi unë i falënderova prokurorët për detyrën e tyre. Jam i qartë dhe jam koshient për përgjegjësitë që ata kanë dhe për pozicionin e tyre. Gjithashtu bëra me dije për pozicionin që kam unë si gazetar, si reporter, dhe aq më tepër si person i cili ka mision të tij informimin drejt, saktë dhe konform të gjitha rregullave, të publikut.

Bledian Koka: Tani kur the që kanë sekuestruar mjetet e tua të punës, kanë sekuestruar celularët në mos gabohem dhe çfarë tjetër?
Artan Hoxha: Po aparatet celularë dhe kartat e telefonit. Gjithë ideja është që ata kërkojnë me insistim të gjejnë burimet e mia të informacionit. Eshtë A-ja e çdo gazetari. Në qoftë se ne dekonspirojmë burimet tona, atëherë asnjë qytetar nuk do kishte më besim tek misioni jonë. Rëndësi ka në gjithë këtë histori, që gjëja që më pohuan që në fillim prokurorët është fakti që kam dhënë një informacion aq shumë të vërtetë për ta, sa ai nuk duhet të ishte publikuar. Unë sa herë kam mundësi që të provoj një të vërtetë që përbën interes të madh për publikun, do ti qëndroj fort kësaj dhe do ta publikoj.

Bledian Koka: Pavarësisht se çfarë thotë prokuroria, në vetëdijen tënde si gazetar, informacioni që ke dhënë ishte informacion kaq konfidencial sa duhet të bëhej e gjithë kjo skenë e shoqërimit tënd për më shumë se dy orë në prokurori?

Artan Hoxha: Unë i kam qëndruar një versioni i informacionet që kam patur qysh në mesditë, duke këmbëngulur që kemi të bëjmë me një rast të pastër të trafikut të narkotikëve. Dhe për të provuar këtë version që unë e kam ngritur qysh në daljen e parë që kam patur në ‘News24’, kam menduar të sjell fakte dhe prova që kjo gjë është e vërtetë sipas meje.

Bledian Koka: Në 20 vite punë, të ka ndodhur një situatë e ngjashme, një situatë e kësaj natyre, që kërkohet me ngulm prania jote në Prokurorinë e Krimeve të Rënda?
Artan Hoxha: Me sa kujtoj, edhe në rastin e 21 janarit, në atë rast oficerët e policisë gjyqësore janë treguar pak më tolerantë, duke patur parasysh që ishte një ditë e lodhshme. Pasi kanë marrë një deklarim pranë televizionit, veprimet e tjera i kanë bërë të nesërmen. Kujtoj që në vitin 2000 kam patur të paktën 5 procese në prokurorinë e Tiranës. Kjo është një procedurë që jam mësuar tashmë dhe nuk më bën përshtypje.

Bledian Koka: Prokuroria e Durrësit ka liruar pilotin italian Guido Guidi, cili është komenti yt për këtë situatë?
Artan Hoxha:Në fakt kam menduar që në këtë çështje do të përfshihej prokuroria e krimeve të rënda. Por më thanë që prokuroria e krimeve të rënda e ka filluar hetimin me iniciativën e vet dhe përfshirja e saj ka qenë që në momentin e parë. Megjithatë po më çudit ky lajm, nuk e di, tani po e marr vesh. Nuk i di rrethanat në të cilat është lejuar liria e tij. Nëse është kështu, po më vika keq që një pjesë të informacionit për këtë ngjarje, nuk e kam dhënë unë, por kolegë të tjerë dhe i përgëzoj ata.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb