TIRANË- Emisioni “Të paekspozuarit” i gazetarit Ylli Rakipi solli sonte në News24 të tjera tema të nxehta të aktualitetit por jo vetëm. Duke nisur nga 25 vjet tranzicion, hashashi dhe tema aq shumë e ndjeshme për shqiptarët, piramidat janë diskutuar nga analistët Fatos Lubonja dhe Andi Bushati si dhe nga ish-presidenti Bamir Topi dhe gazetari Artan Hoxha.

Gazetari Artan Hoxha ka sjellë në emisionin “Të paekspozuarit” një souvenir të veçantë: një aksesor për përgatitjen e cigares së hashashit me foton e revolucionarit argjentinas “Che” Guevara, përkundër fakteve të reja për tregtimin në treg. Hoxha tha se pas goditjes së Lazaratit dhe Dukagjinit në 2014 pati një 5-fishim të çmimit të kanabisit në tregun evropian.

“Kjo tregonte peshën që kishte Shqipëria në tregun e BE-së. Pas Marokut ishim vendi i dytë por kanabisi ishte cilësisht më i mirë se i Marokut. Fara e Vietnamit ka ardhur që në 2008 por nuk ka lidhje. Shqipëria tashmë ka një brand të vetin. Shqipëria prodhon një kanabis të vetin që dallon nga kanabisi në vendet e tjera. Së pari për përqendrimin e THC, përqendrimin e saj që ka bima; për kohën që ka bima për tharjen. Një qytetar që pi kanabis në BE e dallon menjëherë që ky është kanabisi që vjen nga Shqipëria”, tha Hoxha.

Gazetari investigativ Artan Hoxha tha se kanabisi shoqërohet edhe me produkte të tjera, duke demonstruar publikisht edhe nxjerrjen e masës për një cigare kanabis me anë të mullirit-suvenir.
“Ky është një mulli i kanabisit. Si në lokale që të japin një teke, kjo është masa e një cigareje kanabisi. Kjo është prej bakri. Në pjesën e poshtme vihet boçja dhe kur e rrotullon del masa për një cigare. Kanabisi në treg shoqërohet edhe me aksesorë të tjerë. Kur çmimi i kanabisit në treg u rrit, edhe kërkesa për këto”, tha ai.

Hoxha ka rrëfyer se Turqia deri në shtator e merrte kilogramin e kanabisit shqiptar me 4 mijë euro por ky çmim ka rënë. Ai tha se me goditjen e Lazaratit nuk u goditën grosistët e mëdhenj. “Aktualisht Turqia e merr me 2 mijë euro. Menjëherë ka rënë çmimi. Goditja e Lazaratit nuk shkoi lart, shkoi poshtë. Nuk u goditën grosistët e mëdhenj. Sot nuk është problem për ta kultivuar por për ta prodhuar me një cilësi më të mirë dhe për ta futur me çmim më të mirë në treg”, tha ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb