Pasi problemi u bë mediatik në News24, është ndërhyrë në rrugën që lidh Matin me ‘Rrugën e Arbrit’ në vendin e quajtur “Ura e Fshatit”.

Rruga në fjalë ishte pjesë e projektit të rrugës së Arbrit, por u dëmtua 18 muaj më parë dhe asnjë masë nuk ishte marrë për ta riasfaltuar.

Pasi drejtuesit e mjeteve e ngritën këtë shqetësim në News24, autoritetet janë kujtuar dhe kanë ndërhyrë. Drejtuesit e automjeteve falenderojnë median e cila bëri të mundur që zëri i tyre të dëgjohej dhe përgjegjësit për rrugën të ndërhynin dhe të riasfaltonin këtë pjesë të dëmtuar të rrugës.

Nga ana tjetër drejtuesit e mjeteve shprehen se autoritetet duhet të bëjnë punën e tyre dhe të mos presin që problemet të bëhen mediatike e atëherë të kujtohen për përgjegjësitë që kanë ndaj qytetarëve.

Kjo pjesë rruge ishte dëmtuar nga shirat e rrëmbyeshëm të fundit të vitit 2023, por që prej nëntorit të atij viti nuk ishte ndërhyrë për ta rikthyer në gjendjen e mëparshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb